Leipzigu ia kërkon tetë milionë euro Milanit për Rangnick.
Milani mund ta ketë problem emërimin e Ralf Rangnick në postin e trajnerit për sezonin e ardhshëm, pasi që raportohet se Red Bull Leipzigu po ua kërkon kuqezinjve tetë milionë euro për ta liruar atë nga kontrata e tij.
Negociatat mes drejtuesve të Milanit dhe 62-vjeçarit Ralf Rangnick nuk janë mbajtur aspak sekret gjatë muajve të fundit. Milani dëshironte t’ia jepte atij edhe postin e trajnerit edhe atë të drejtorit teknik, në mënyrë që të mundë ta kontrollojë edhe strategjinë e klubit në transferime, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, gazetari i famshëm italian i sportit, Gianluca di Marzio, pretendon se Milani tani po përballet me një pengesë, pasi që punëdhënësi aktual i Rangnickut, RB Leipzigu, po ia kërkon tetë milionë euro për ta liruar atë nga psoti i tij.
Rangnick ka qenë drejtori sportiv i Red Bull Salzburgut dhe Red Bull Leipzigut, ndërsa ishte edhe trajner i Red Bull Leipzigut gjatë sezoneve 2015/16 dhe 2018/19.
Ai tani e kryeson departamentin për sport dhe zhvillim të futbollit në kompaninë Red Bull, kështu që mbullon edhe NY Red Bulls dhe Red Bull Brasil, si dhe disa klube të tjera.
Pas diskutimeve të cilat janë bërë publike për të gjithë për transferimin e Rangnickut në Milan, kompania Red Bull është irrituar me Rangnickun dhe tani do t’ia kërkojë Milanit tetë milionë euro për t’ia liruar atë këtë verë.
Pasi që Stefano Pioli po merr rezultate të mira me kuqezinjtë së fundi, kjo e shton presionin mbi drejtorin sportiv të Milanit, Ivan Gazidis, për ta lënë anash projektin me Rangnickun dhe të vazhdojë përpara me trajnerin aktual.
Gjithashtu, situata në klubin kuqezi është e tensionuar, pasi drejtori Zvonimir Boban u shkarkua pasi ishte ankuar që Gazidis e kishte kontaktuar Rangnickun pa i informuar anëtarët e tjerë të bordit drejtues, ndërsa edhe Paolo Maldini pritet të largohet këtë verë.