Sot ka pasur disa akuza mes Pal Lekajt dhe Glauk Konjufcës.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, e ka paralajmëruar shefin e grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufcen, se do ta padisë pas akuzave që ai ia ka bërë Lekajt ‘se ka marrë para nga biznesmenët Devolli’.
Disa orë pas mbledhjes në Komision Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Lekaj ka shkruar në Facebook, se do të kërkojë përgjegjësi ndaj atyre që përdorin shpifje dhe denigrime.
“Ne veprojmë sipas ligjit dhe për punët tona japim përgjegjësi kudo dhe kurdo.Ndërsa, të gjithë ata që përdorin shpifjet dhe denigrimet e ulëta për përfitime personale, sikur Glauk Konjufca sot, do të përballen me drejtësinë”, ka shkruar Lekaj.
Në raportimin e tij në Komisionin parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Lekaj është përballur me akuza nga Konjufca. Ky e ka pyetur ministrin se sa para i ka marrë ‘për t’ia trashur edhe më shumë monopolin’ biznesit të Shkëlqim Devollit. Bëhet fjalë për kompaninë e homologimit e cila është në pronësi të biznesmenit.