Lekaj thotë se do të ulen çmimet për homologim dhe do të thyhet monopoli.
Kuvendi i Kosovës, para disa ditësh miratoi rezolutën për shërbimin e homologimit të veturave.
Përmes kësaj rezolute kërkohet të shfuqizohet udhëzimi administrativ për procedurën për homologim të Ministrisë së Infrastrukturës, të fillojë plotësimi dhe ndryshimi i projektligjit për automjete si dhe në afat prej dy muajve të miratohet udhëzimi i ri administrativ.
Në rezolutën e propozuar nga deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Zharku, gjithashtu kërkohet që në afat prej gjashtë muaj të liberalizohet tregu i homologimit të automjeteve.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, në një intervistë për EkonomiaOnline, thotë se kjo rezolutë nuk i obligon që të bëjnë këto ndryshime. Megjithatë, thotë se për hir të interesit qytetar do të fillojnë ndryshimin dhe plotësimin e ligjit.
“Ajo nuk na obligon neve që ne të shfuqizojmë udhëzimin administrativ. Mirëpo, unë si ministër po e them që punoj në interes të qytetarëve dhe përmbushjes së kërkesave të qytetarëve dhe unë po i shqyrtoj të gjitha mundësit që të bëjë plotësim ndryshimin e udhëzimit administrativë, por edhe të ligjit, paraprakisht ligji pastaj edhe udhëzimi administrativë. Ne kemi pasur një raport nga TIEX-i që kanë qenë edhe nga Ministria e jonë ekspertë që janë të përfaqësuar në këtë grup dhe ne kemi marrë rekomandime, por ato rekomandime asnjërën nuk e kanë cek monopolin apo ndërprerjen e kontratës, sepse ligji ia mundëson një licencim të këtyre kompanive të jenë 1, 2 apo 10 të pakufizuar dhe ne kemi vepruar në bazë të ligjit. Por para qytetarëve e them që ne do të fillojmë plotësim ndryshimin e ligjit dhe të udhëzimit administrativë”, tha ai.
Lekaj thotë se në projektligjin e ri do të kenë parasysh interesat e qytetarëve. Thotë se do të bëjnë edhe liberalizimin e këtij tregut dhe se do të ketë ulje të çmimit për homologim.
“Ne jemi të fokusuar të hapim tregun që të shikojmë të gjitha çmimet që janë në rajon dhe ë shkojmë edhe më lirë që mos ta atakojmë gjepin e qytetarëve sepse dihet ekonomia jonë sa është e zhvilluar, dihen pagat dhe nuk mund ta krahasojmë Kosovën me një vend në rajon apo kudo tjetër sepse pagat janë të ulta papunësia është dhe në këtë drejtim do të jemi të vëmendshëm dhe të kujdesshëm që të punojmë në interes të qytetarëve”, tha ai.