Lëndohen 25 persona nga mjetet piroteknike e tre nga plumbat qorr, nga QKUK flasin për gjendjen e tyre

14:28 | 01 January 2023

25 të lënduar nga mjetet piroteknike e tre nga plumbat qorr, nga QKUK flasin për gjendjen e tyre.

Çdo vit në natën e ndërrimit të moteve ndodhin incidente të ndryshme nga përdorimi i mjeteve piroteknike dhe armëve të zjarrit.

Edhe këtë vit incidentet nuk munguan e nga të cilët u lënduan 25 persona nga fishekzjarret dhe tre nga plumbat qorr.

Lidhur me gjendjen e tyre ka folur drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla.

Syla tha për Klankosova.tv se nga 25 të lënduarit me mjete piroteknike, dy kanë vazhduar trajtimin në Klinikën Plastike për shkak të gjendjes më të rëndë, ndërsa të tjerët janë liruar për në shtëpi.

E po ashtu nga tre të plagosurit me plumba qorr, dy kanë vazhduar trajtimin në Klinikën e Ortopedisë, e njëri është liruar.

Ai dha detaje edhe për rastet e tjera që janë trajtuar në QKUK gjatë ditës së fundit të vitit 2022.

“Gjatë natës së ndërrimit të motmoteve në Qendrën Emergjente kemi qenë shumë të ngarkuar për 24 orë trajtim kanë kërkuar 271 pacientë, prej tyre kemi pas diku 23 ndeshje komunikacioni, për fat të keq një ka qenë me fatalitet. Nga mjetet piroteknike janë lënduar 25 persona dy prej tyre kanë qenë në gjendje më të rëndë që janë pranuar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, të tjerët janë trajtuar në Qendrën Emergjente dhe janë kthyer për vazhdim tretmani në shtëpi. Pastaj, kemi pasur tre persona të plagosur me plumba qorr, dy prej tyre janë pranuar në Klinikën e Ortopedisë, kurse njëri pas tretmanit është liruar në shtëpi të vazhdojë trajtimin e mëtutjeshëm”, tha Syla.

I pari Klinikës Emergjente tregoi edhe për disa raste që janë pranuar sot në QKUK.

Ai theksoi se sot janë pranuar pesë persona të cilët kanë marrë lëndime si pasojë e goditjes me mjete të forta.

“Sot prej orës 08:00 deri në mesditë kanë qenë tre raste po ashtu me mjete piroteknike, është shumë me rëndësi që nuk janë fëmijë por janë të rritur. E po ashtu i kemi pranuar edhe pesë persona pasi kanë marrë lëndime nga mjetet e forta”, theksoi ai

Komento: