Shtatë refugjatë lëndohen nga zjarri që shpërtheu në “Belvedere” në Mitrovicë.
Shtatë persona janë lënduar nga flakët e zjarrit që kanë kapluar sot në mëngjes një pjesë të kampit “Belvedere” në Mitrovicë, që shërben për njësitë speciale operative të policisë së Kosovës, e ku janë strehuar para pak muajsh refugjatë nga shtetet e Lindjes.
Njësitë e zjarrfikësve kanë reaguar me kohë, ndërsa deri në kohën kur po raportojmë nuk dihen shkaqet e këtij zjarri.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili nuk pranoi të flasë para kamerës, ka bërë të ditur se sot rreth orës 6:00 të mëngjesit në kampin ku janë të vendosur disa refugjatë, ka shpërthyer një zjarr me ç’rast janë lënduar disa persona.
Sipas tij, policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe është duke zhvilluar hetimet, dhe deri tash nuk dihet shkaku i këtij incidenti.
Ndërkaq, Nita Mustafa, zëdhënëse e spitalit rajonal “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, ka konfirmuar se në emergjencën e këtij spitali sot janë trajtuar shtatë persona, pesë nga të cilët shtetas të Marokos, ndërsa dy të tjerë shtetas të Libisë.
Sipas saj, lëndimet që kryesisht ishin nga flakët, kanë qenë të lehta dhe personat në fjalë pas trajtimit janë liruar menjëherë.
“Sot rreth orës 6:30 në spitalin tonë janë trajtuar gjithsej shtatë persona, shtetas të huaj, përkatësisht marokienë dhe libianë, të cilët kishin plagë të lehta nga flakët e zjarrit. Të gjithë pacientët pas trajtimit dhe në shoqërim të policisë janë liruar në gjendje të mirë”, ka thënë për KosovaPress Mustafa.
Ndryshe, në kampin Belveder në Mitrovicë, aktualisht ndodhen 41 refugjatë nga Siria, Maroko, Libia, Algjeria, Somalia dhe Palestina.