Lëndohet Amir Rrahmani

14:48 | 08 August 2023

Amir Rrahmani është lënduar në stërvitjen e sotme të Napolit.

Mediat italianë raportojnë se kapiteni i Kombëtares së Kosovës e ka lënduar pulpën e majtë të këmbës.

Gjatë një ndeshjeje në stërvitje, qendërmbrojtësi u desh të largohej para kohe shkaku i këtij lëndimi pasi ndiente dhimbje.

Edhe pse dukej diçka serioze, nuk është e qartë ende shkalla e lëndimit dhe se sa do të mbetet jashtë fushave të blerta ish-futbollisti i Lokomotivës së Zagrebit, Dinamos së Zagrebit dhe Veronës.

Rrahmani ishte lënduar edhe në fillim të sezonit të kaluar, por më pas ishte rikthyer pas Botërorit dhe e kishte dhënë kontributin e tij në suksesin historik të Napolit.

Shpresojmë që ky lëndim të mos e lë Rrahmanin gjatë pa luajtur kur dihet se do të ketë angazhime edhe me Kombëtaren e Kosovës në muajin shtator.

Krahas Rrahmanit, në stërvitjen e sotme të kampionëve të Italisë u lëndua edhe sulmuesi kryesor, Victor Osimhen.

Komento: