Letra e Blinken, Skënder Hyseni godet kryeministrin dhe opozitën

16:45 | 14 Janar 2022

Skënder Hyseni ka reaguar pas letrës së Blinken.

Ish-kryenegociatori i Kosovës në dialog me Serbinë, Skender Hysen, ka thënë se status-quoja në raport me Serbinë është armiku më i madh i Kosovës sot dhe nesër, shkruan Gazeta Metro.

Hyseni ka thënë se që nga rinisja e dialogut në korrik të vitit 2020, Kosova ia kishte dalë ta vendoste në binar adekuat komunikimin me botën rreth kësaj teme dhe duke mos lejuar ndikimin nga faktorët destabilizues e që kishin për detyrë prishjen e rendit kushtetues dhe të sigurisë.

Ndërsa ka theksuar se stagnimi i dialogut, Kosovën mund ta betonojë në status-quo, e që në terma praktik do të thotë izolim dhe rrezikim i vet shtetësisë dhe pavarësisë së saj.
Tutje ka shtuar se edhe pozita edhe opozita, aktualisht është e fjetur dhe kalkulante.

Postimi i plotë:

Mos luani me fatin dhe të ardhmën e Kosovës!

Status-quoja në raportet me Serbinë është armiku më i madh i Kosovës sot dhe nesër!

Që nga rinisja e dialogut me Serbinë në korrik 2020 Kosova ia kishte dalur ta vendoste në binarë adekuat komunikimin me botën rreth kësaj teme, duke mos lejuar që shteti ynë të ekspozohej ndaj planeve dhe ndikimeve nga faktorët destabilizues që për qëllim kishin prishjen e rendit kushtetues dhe sigurisë në Kosovë dhe Ballkan. Forcimi i partneritetit dhe komunikimi e koordinimi sistematik me SHBA-të dhe vendet tjera të Quintit ishte rikthyer në binarë.

Dialogu me Serbinë dhe normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërshtetërore me njohje të ndërsjellë është dhe duhet të jet prioritet mbi të gjitha prioritet i çdo qeverie të Kosovës. Prandaj, pa u vonuar, dialogu me Serbinë duhet të rikthehet në kornizën e duhur.
Pra, është përgjegjësi e autoriteteve aktuale të Kosovës që dialogu me Serbinë, si një proces i pashmangshëm dhe i domosdoshëm për një Marrëveshje Gjithpërfshirëse të vendoset si prioritet dhe urgjencë. Një marrëveshje e tillë është thelbësore dhe e domosdoshme për të përmbyllur kontestin e gjatë historik dhe politik në mes të Kosovës dhe Serbisë, që në thelb është edhe kontest në mes të shqiptarëve dhe serbëve në përgjithësi.

Çdo zvarritje e mëtejme e marrëveshjes me Serbinë, Kosovën mund ta betonojë në status-quo, e që në terma praktik do të thot izolim dhe rrezikim i vet shtetësisë dhe pavarësisë së saj.

Stabiliteti afatgjatë i Kosovës dhe konsolidimi ndërkombëtar i shtetësisë përmes rrumbullakësimit të subjektivitetit të saj nuk është i mundur pa një marrëveshje për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk mund te ketë progres as në rrugën e Kosovës për anëtarësim në NATO e as BE pa u arritur kjo Marrëveshje. Janë çështje drejtëperdrejtë të lidhura. Në këtë kontekst, duhet urgjentisht të vendoset komunikim dhe koordinim sistematik me Administratën e re amerikane të Presidentit Biden. Në Uashington, Bruksel, Berlin, Londër, Paris dhe Romë, Qeveria e re duhet të intensifikojnë praninë dhe përpjekjet për mbajtjen në agjendë të Kosovës. Levat për arritjen e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë si dy shtete janë në këto kryeqytete, duke patur parasysh se Marrëveshja me Serbinë ka edhe një rëndësi të veçantë, e që është dobësimi i ndikimit dhe rolit rus në Ballkan. Pra, qeveria e Kosovës duhet të harmonizojë politikat dhe interesat e saj me poltikat e partnerëve tonë në Ballkan dhe interesat e tyre.

Në kohën kur në qarqet ndërkombëtare, dialogu me Serbinë dhe normalizimi i marrëdhënieve vazhdon të jet prioritet numër një sa i përket Ballkanit, qeveria e Kosovës vazhdon politikën e saj injoruese ndaj thirrjeve gjithnjë e më eksplicite nga partnerët e Kosovës. E fundit nga këto thirrje ështër letra e sekretarit amerikan Blinken dërguar kryeministrit Kurti me 11 janar, ku nënvizohet qartë urgjenca, pesha dhe rëndësia që ka dialogu me Serbinë dhe normalizimi përmes njohjes së ndësjellë.
Është koha e fundit që kjo qeveri ta braktisë politikën e saj populliste dhe retorikën tensionuese e cila është në kundërshtim të plotë me interesat jetike të vendit.

Edhe pozita edhe opozita, aktualisht e fjetur dhe kalkulante e Kosovës, duhet ta kuptojnë se sot asgjë më shumë nuk përputhet me strategjinë afagjate serbe dhe interest ruse sesa mbajtja pezull, në gjendje të ngrirë e kontestit Kosovë-Serbi, dhe rrjedhimisht mbajtja e Ballkanit Perëndimor në gjendje permanente shpërthimi!

Kjo sjellje e kryeministrit aktual të Kosovës, e besa edhe e opozitës dëmton rëndë interesat afatgjata të vendit. Pozita dhe opozita po vetmjaftohen me pak pushtet dhe një grusht vota, e që duket se e kanë të vetmin preokupim, duke mos u lodhur fort për interest afatgjata të vendit. Pra, duke injoruar tërsisht problemet reale dhe urgjencën e mbylljes së kontestit me Serbinë.
Ky rezon politik dhe kjo sjellje e pozitës e opozitës, Kosovën e dërgon në klubin e vendeve apo territoreve pa subjektivitet, ku mund të mbetet përgjithmonë, si një vend eksperimtesh dhe kusuritjesh në rrafshin global!
Këndelluni! Mos luani me fatin dhe të ardhmën e vendit!

Komento: