Lëvizja për Bashkim kërkon që Veriu duhet të shkëmbehet me Luginën e Preshevës

12:30 | 22 Dhjetor 2018

Lëvizja për Bashkim po kërkon që Lugina e Preshevës të shkëmbehet me Veriun e Kosovës.

Kryetari i kësaj lëvizje, Valon Murati, duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, vlerësoi se letra e Presidentit amerikan Donald Trump dërguar presidentit Hashim Thaçi përbën një moment shumë cilësor në procesin e ngufatur të bisedimeve, si në raportet brenda vendit, ashtu edhe në ato me Serbinë e me BE-në.

Murati, në një konferencë për media, tha se se bisedimet me Serbinë duhet të rezultojnë me ripërcaktim të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke u zbatuar parimi i vetëvendosjes së popujve.
Shqiptarët në Kosovën Lindore, në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, kudo që janë shumicë dhe që kanë vazhdimësi territoriale me Kosovën duhet t’i bashkohen Kosovës. Serbët në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok duhet ta kenë të njëjtën të drejtë, aty ku janë shumicë dhe kanë vazhdimësi territoriale”, tha Murati.

Murati tha se duke e respektuar këtë parim fshatrat shqiptare të Leposaviqit: Ceraja, Koshtova dhe Bistrica, të Zveçanit: Zhazha, Boletini dhe Kelmendi, si dhe Çabra në Zubin Potok duhet të mbesin pjesë e Kosovës.

“Gjithashtu pjesë e ripërcaktimit të kufijve nuk duhet të jetë pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës, prej ku në vitin 2000 janë dëbuar 12.000 shqiptarë; dhe me heqjen e privilegjeve bllokuese për pakicën serbe, të cilat i përmban Kushtetuta e Kosovës”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Lëvizja për Bashkim ka analizuar situatën pas masave të Qeverisë së Kosovës për prodhimet e Serbisë dhe të Bosnjës dhe ka ardhur në përfundim se ato janë të nevojshme dhe të domosdoshme.

“Andaj Lëvizja për Bashkim do të jetë anën e Qeverisë në këtë drejtim dhe kërkon që ajo të mos tërhiqet nga kjo politikë, madje këtë ta shtrijë edhe në drejtimet tjera deri në të drejta të plota politike në mes të shqiptarëve në Serbi e serbëve në Kosovë”, tha Murati.

Sipas Lëvizjes Për Bashkim, vendimet e tilla të Kosovës padyshim që nuk duhet të jenë as popullsite e as inatçore, por të studiuara e analizuara mirë e mirë, në mënyrë që të kthehen në dobi të Kosovës, të qytetarëve të saj e të raporteve me fqinjët.

“Tash Qeverisë i mbetet të jetë e kujdesshme e të punojë shumë në evitimin e pasojave e efekteve negative të mundshme nga një politikë e tillë”, tha Murati.

Komento: