Lëvizja Vetëvendosje propozon Glauk Konjufcën për President

17:25 | 04 Mars 2026
levizja-vetevendosje-propozon-glauk-konjufcen-per-president

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se do të propozojë për President të Republikës së Kosovës ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, pas dështimit për të arritur një marrëveshje me partitë opozitare për një kandidat konsensual.

Sipas njoftimit të subjektit fitues të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, të cilat u mbajtën pas një bllokade mbi dhjetëmujore, qytetarët dhanë “rezultatin më të qartë në historinë e Kosovës së pasluftës”, duke votuar kundër bllokimit institucional dhe në favor të themelimit të institucioneve.

LVV thekson se, në përputhje me këtë rezultat, pa vonesë janë konstituuar Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës, ndërsa procesi i radhës është zgjedhja e Presidentit, për të cilën kërkohet pjesëmarrja e të paktën 80 deputetëve në sallë.

Partia në pushtet bën të ditur se ka ftuar disa herë në takim subjektet më të mëdha opozitare, me qëllim gjetjen e një emri të përbashkët për pozitën e presidentit. Megjithatë, sipas saj, nga opozita nuk ka pasur propozime konkrete dhe janë refuzuar edhe ofertat me emra të caktuar të paraqitura nga LVV.

“Subjekti ynë politik është i bindur se në vendin tonë ka shumë emra të denjë për këtë pozitë të rëndësishme shtetërore, rreth të cilëve do të mund të ndërtohej një pajtueshmëri për të ecur përpara. Në këtë fazë, zgjedhjet e reja do të ishin krejtësisht të panevojshme”, thuhet në reagim.

Në këto rrethana, LVV ka vendosur të propozojë zyrtarisht Glauk Konjufcën si kandidat për president. Në njoftim theksohet përvoja e tij si ish-kryetar i Kuvendit, deputet i shtatë legjislaturave dhe një nga politikanët më të votuar në historinë e vendit.

Njëkohësisht, LVV u ka bërë thirrje sërish partive opozitare që të propozojnë një kandidat, duke ofruar edhe mbështetje me nënshkrime nga grupi parlamentar i saj, nëse kjo do të ishte e nevojshme për formalizimin e kandidaturës.

“Jemi të bindur se kjo sfidë është e kalueshme, zgjedhjet janë të evitueshme dhe është plotësisht e mundshme të gjejmë pajtueshmëri për të ecur përpara”, thuhet në fund të reagimit./Telegrafi.

Komento: