Paul Pogba pritet të largohet nga Manchester United gjatë verës.
Interi i është bashkuar skuadrave që synojnë të transferojnë mesfushorin Paul Pogba. Juventusi, Real Madridi dhe PSG-ja janë skuadrat tjera e interesuara për francezin 27-vjeçar.
Është raportuar se Manchester Unitedi nuk do të shfrytëzojë opsionin për të vazhduar kontratën me Pogban deri në vitin 2022.
Kontrata e Pogbas me Unitedin është e vlefshme deri në qershor të vitit 2021 dhe kjo rrit gjasat që ai të shitet në këtë verë.
Ka kohë që raportohet për mundësinë që Pogba të kthehet te Jutentusi, ndërsa të interesuara janë edhe dy top-skuadrat tjera evropiane, Real Madridi dhe Paris Saint-Germaini.
Tuttosport dhe Sportmediaset kanë shkruar se në garë është futur edhe Interi, ku Pogba do të punonte sërish me Antonio Conten.
Interi ka punuar në të kaluarën me Unitedin, duke ofruar Romelo Lukakun dhe Alexis Sanchezin verën e kaluar e më pas Ashley Youngun në janar.