Lëvizjet për vizat, Qeveria e Çekisë sqaron rrugën deri te liberalizimi

21:37 | 28 Shtator 2022

Ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky gjatë ditës së enjte do të vizitojë Kosovën, për t’u takuar me liderët e shtetit. Vizita e tij vjen në kohën kur është konfirmuar se liberalizimi i vizave është pjesë e rendit të ditës në Komisionin Evropian në mes të tetorit. E, Qeveria çeke ka thënë se është e interesuar të shtyjë përpara këtë proces. Vizita e diplomatit çek vlerësohet se ka peshë të madhe.

Çështjes së liberalizimit të vizave pritet së shpejti t’i largohet pluhuri nga sirtarët e BE-së.

Dy javë para se Kosova të jetë në agjendën e grupit punues të Këshillit Evropian më 13 tetor, do të realizohet një vizitë e rëndësishme në Kosovë.

Jan Lipavsky, ministër i Jashtëm i Çekisë, shtetit që udhëheq presidencën e BE-së, gjatë së enjtes do të qëndrojë në Prishtinë.

Kryediplomati çek fillimisht do të pritet në takim nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, pastaj nga shefi i tij, kryeministri Albin Kurti dhe më pas nga presidentja Vjosa Osmani.

Agjendën e tij e ka konfirmuar Qeveria e Çekisë.

Në përgjigjen e saj thuhet se shteti çek është i interesuar të çojë përpara integrimin e Ballkanit, përfshirë heqjen e vizave për Kosovën.

“Parakusht për liberalizimin e vizave është sigurisht plotësimi i një numri të madh kushtesh shumë teknike. Komisioni Evropian vazhdimisht ka konfirmuar se Kosova tashmë i ka përmbushur kushtet e përcaktuara për liberalizimin e vizave. Më pas, nëse të ashtuquajturat përditësime teknike të raportit të gatishmërisë së Kosovës për integrimin e vizave rezultojnë të mira, Presidenca Çeke llogarit që shtetet anëtare të merren me këtë çështje gjatë vjeshtës”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Çekisë për RTV Dukagjinin.

Nga Komisioni Evropian në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net kanë thënë dje se edhe këtë vit do të prezantojnë një raport të shoqëruar me një përditësim teknik për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, dhe se aktualisht po punohet në këtë përditësim i cili është vetëm “një dokument teknik që paraqet gjendjen e përditësuar që lidhet me standardet e liberalizimit të vizave për ta mbështetur në Këshill”.

Laura Berard, zëdhënëse e shtypit në Komisionin Evropian tha se ky përditësim teknik nuk ka të bëjë me atë se do të shtohet ndonjë kusht i ri për Kosovën, sa i përket liberalizimit të vizave.

“Është vlerësimi ynë se Kosova i përmbush të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave. Përditësimi teknik nuk do të përbëjë një vlerësim të ri dhe nuk do të shtojë ndonjë kusht apo pikë referimi të ri”, thuhet në përgjigjen e dhënë për Reporteri .net.

“Aktualisht jemi duke punuar në përgatitjen e këtij përditësimi teknik në konsultim me Presidencën e Këshillit dhe Shtetet Anëtare. Ky përditësim do të jetë vetëm një dokument teknik, që paraqet një gjendje të përditësuar të performancës në ato fusha që lidhen me standardet e liberalizimit të vizave, për të mbështetur diskutimet në Këshill”, thotë zyrtarja e shtypit të KE-së.

Komisioni Evropian thotë se “u takon shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që ta çojnë përpara çështjen e liberalizimit të vizave”, dhe se KE i inkurajon ato që të vazhdojnë tutje me këtë proces.

“Komisioni Evropian konfirmoi në korrik 2018 se Kosova i përmbushi të gjitha kushtet që dalin nga Udhërrëfyesi për Liberalizimin e Vizave. Ky vlerësimi ynë qëndron ende. Pas votimit në favor të liberalizimit të vizave të Parlamentit Evropian në vitin 2019, tani u takon shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që ta çojnë përpara këtë çështje. Ne i inkurajojmë ata që të vazhdojnë me heqjen e vizave për Kosovën”, tha Laura Berard, zëdhënëse e shtypit në Komisionin Evropain.

Komento: