Lewandowski bën histori te Barcelona – polaku thyen rekordin e tij

21:29 | 27 Prill 2026

Robert Lewandowski vazhdon të shkruajë histori te Barcelona. Në ndeshjen ndaj Getafes, që katalanasit e fituan 2-0, sulmuesi 37-vjeçar polak regjistroi paraqitjen e tij të 188-të me fanellën blaugrana, duke e kaluar numrin e ndeshjeve që kishte zhvilluar me Borussia Dortmund (187).

Lewandowski ka arsye të jetë edhe më i kënaqur me shifrat para portës. Ai ka realizuar 118 gola për Barcelonën, me mesatare 0.62 gola për ndeshje, duke e tejkaluar bilancin e tij te Borussia Dortmundi, ku shënoi 103 gola (mesatarja 0.55).

Këto statistika konfirmojnë se, edhe në vitet e fundit të karrierës, polaku vazhdon të ruajë efikasitet të lartë si golashënues.

Megjithatë, rekordi më i madh i Lewandowskit mbetet ai me Bayern Munichun. Në Gjermani ai luajti për tetë sezone dhe realizoi shifra të jashtëzakonshme: 344 gola në 375 ndeshje, me një mesatare prej 0.92 golash për ndeshje, më e lartë se në çdo klub tjetër të karrierës së tij.

Edhe te Barcelona, paraqitjet e tij po e forcojnë më tej trashëgiminë si një nga sulmuesit më të mëdhenj të futbollit modern, i aftë të përshtatet dhe të bëjë diferencën edhe në moshën 37-vjeçare.

Në këtë sezon, Lewandowski ka shënuar 17 gola dhe ka dhënë 4 asistime në 41 ndeshje.

E ardhmja e tij, ndërkohë, mbetet e hapur. Kontrata e Lewandowskit me Barcelonën skadon në qershor të vitit 2026 dhe, edhe pse interesimi për të nuk mungon, sulmuesi polak ende nuk ka marrë vendim për hapin e radhës në karrierë.

Komento: