Kosova nuk ka marrë përkrahje për liberalizim të vizave gjatë Samitit të Berlinit.
Delegacioni kosovar u kthye i zhgënjyer nga Berlini, ku nuk mori dot asnjë premtim për çështjen e liberalizimit të vizave. E një nga shkaktarët kryesorë duket ka qenë Franca, e cila ka këmbëngulur për mosliberalizimin e regjimit të vizave ndaj Kosovës.
Presidenti Hashim Thaçi e shprehu këtë zhgënjim edhe para gazetarëve. “Edhe sonte kishte paqartësi rreth këtij procesi. Është diskriminim dhe ndëshkim për Kosovën”, u shpreh ai.
“Deutsche Ëelle” thotë se arsyeja që Macron ishte shfaqur kundër një lëvizjeje të tillë lidhej me Shqipërinë, transmeton tch.
“Sipas burimeve të Deutsche Ëelle-s, presidenti Macron e kishte argumentuar mosmiratimin e heqjes së regjimit të vizave me përvojën e keqe të Francës pas liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Gjeorgjinë, ku u shtua si numri i emigrantëve të parregullt, ashtu dhe kriminaliteti nga këto vende. Nisur nga fushata elektorale aktuale për zgjedhjet e Parlamentit Europian, Macron kishte argumentuar se, nëse ai do të hiqte vizat edhe për Kosovën, kjo do të ishte në favor të partisë së ekstremit të djathtë, Fronti Nacional”.
Takimi i Berlinit u përshkrua si “pajtim për të kërkuar pajtimin”. Përfundimi i vetëm i qartë i tij ishte akordi për mbajtjen e një samiti të ri të të njëjtit format, më 1 korrik në Paris.
Por ndërsa fillimisht nuk u pohua qartë që palët të kenë pranuar vazhdimin e dialogut, “Euractiv” shkruan se Kosova dhe Serbia u pajtuan të rinisin bisedimet pas paralajmërimeve të udhëheqësve të Francës dhe Gjermanisë se, “armiqtë e vjetër duhet t’i zgjidhin mosmarrëveshjet mes tyre, sepse kjo është thelbësore për të ardhmen e lidhjeve të tyre me Bashkimin Europian”.