Ramush Haradinaj vazhdon të besoj se kosovarët shumë shpejt do të lëvizin pa viza.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, me ftesë të shefes së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, mori sot pjesë në takim pune me shefat e misioneve të shteteve anëtare të BE-së.
Me këtë rast, u diskutua për të arriturat dhe sfidat e Kosovës në rrugën europiane, ku kryeministri Haradinaj theksoi se Republika e Kosovës është fuqimisht e vendosur për anëtarësimin në BE si prioritet i lartë i saj, gjersa vazhdon të punojë pandërprerë për të arritur zbatimin e plotë të MSA-së, dhe të respektojë obligimet e kontratës sonë të përbashkët.
“Qeveria është angazhuar plotësisht në përmbushjen e agjendës evropiane, duke ndërmarr me këmbëngulje reforma të gjithanshme, sidomos për fuqizimin e sundimit të ligjit”, shtoi Haradinaj, duke shtuar se për të ecur përpara dhe që të sigurohet paqja afatgjatë dhe e ardhmja evropiane për të dy shtetet, jemi të interesuar të arrihet marrëveshja përfundimtare ligjërisht e obligueshme midis Kosovës dhe Serbisë, që rezulton me njohje reciproke.
Ndër tjerash, në takimin e sotëm, Haradinaj tha se ka një sinjal të qartë nga Bashkimi Evropian, se i respekton arritjet tona dhe se kemi mbështetjen e saj në mënyrë aktive, e që është realizimi në kohë optimale i lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës. /ORAinfo/