Liberalizimi i vizave, Von Cramon thotë se qytetarëve të Kosovës u duhet një datë – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Liberalizimi i vizave, Von Cramon thotë se qytetarëve të Kosovës u duhet një datë

23:05 | 30 Nëntor 2020

Viola von Cramon ka thënë se qytetarëve të Kosovës u duhet një datë për liberalizim të vizave.

Pasi që Këshilli i Bashkimit Europian ka biseduar sot edhe për liberalizimin e vizave duke mos dhënë asnjë sinjal pozitiv, ka reaguar raportuesja e BE’së për Kosovën, Viola von Cramon, e cila ka thënë se kjo nuk është e mjaftueshme dhe se qytetarët e Kosovës duan një datë.

Në Draftin e Konkluzave tashmë të përgatitur nga Këshilli Europian sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, vetëm përsëritet se “Këshilli kupton rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, thuhet se “propozimi është duke u shqyrtuar në Këshill” dhe rikujtohet se Komisioni Europian kishte propozuar qysh në vitin 2018 që Kosovës t’i hiqen vizat.

Këshilli i BE’së, siç thuhet në tekstin e përgatitur për këto konkluza, të cilat duhet të miratohen nga shtetet anëtare, kërkon nga Serbia që të vazhdojë procesimin e rasteve të kr’imit të luftës. Po ashtu nga Serbia kërkohet që të parandalojë glorifikimin e kri’minelëve të luftës.

E raportuesja e BE’së për Kosovën, Viola von Cramon, ka reaguar, duke thënë se nuk mjafton vetëm fakti që është biseduar për liberalizimin e vizave për kosovarët.

Ajo ka thënë se qytetarët e Kosovës dëshirojnë të kenë të qartë një datë, e kjo varet nga Këshilli Europian.

“I gëzohem faktit që Këshilli i Bashkimit Europian ka diskutuar për liberalizimin e vizave për Kosovën. Mirëpo, kjo nuk është e mjaftueshme. Qytetarët e Kosovës dëshirojnë të kenë të qartë një datë. E gjitha kjo varet vetëm nga Këshilli”, shkruan Cramon në postimin e saj.

Komento: