Liberalizmi i vizave, këto janë kërkesat e Finldandës

10:45 | 20 July 2019

Liberalizimi i vizave vazhdon të jetë ndër temat kryesore në Kosovë.

Qytetarët e Kosovës nuk dihet ende nëse do të mund të udhëtojnë brenda këtij viti pa viza, pasi këtë nuk e thotë sigurt as vendi që kryeson Bashkimin Evropian.

Ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall, ka treguar për Insajderin rrugën nëpër të cilën Kosova duhet të kalojë për ta arritur liberalizimin e vizave dhe integrimin në Bashkimin Evropian.

Liberalizimi i vizave për kosovarët nuk varet nga Finlanda, shteti që tash e kryeson Bashkimin Evropian, madje nuk ka as siguri se kjo mund të ndodhë brenda këtij viti.

Sipas ambasadores së këtij shteti në Kosovës, Pia Stjernvall, gjëja e parë që duhet të dinë qytetarët e Kosovës, është se liberalizimi i vizave varet nga të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Finlanda ka marrëdhënie të shkëlqyera me Kosovën, vlerëson Stjernvall në një intervistë për Insajderin, derisa rikujton se kjo nuk mund të ndikojë në liberalizimin e vizave për kosovarët.

“Ne do ta diskutojmë atë, do ta fusim në agjendë dhe do të shohim nëse ka konsensus midis shteteve anëtare. Është e vështirë të thuhet nëse liberalizimi i vizave për Kosovën do të ndodhë këtë vit. Nuk varet vetëm nga Finlanda. Të gjitha shtetet anëtare duhet të kenë konsensus mbi këtë çështje”, ka deklaruar Stjernvall.

Megjithëkëtë, Stjernvall e vlerëson si të saktë konfirmimin e Komisionit Evropian se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

“Komisioni ka deklaruar se Kosova i ka përmbushur kriteret. Ne besojmë se analiza e Komisionit është e saktë. Megjithatë, është e rëndësishme që të vazhdohet zbatimi pasi që ndonjëherë të arriturat mund të bëjnë hapa prapa”, thekson Stjernvall.

Çfarë i kërkon Finlanda Kosovës për t’u integruar në Bashkimin Evropian?

Liberalizimi i vizave është vetëm hapi i parë i Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Në mënyrë që ta provojë seriozitetin në rrugën e anëtarësimit në BE, sipas Finlandës, Kosova duhet t’i zbatojë reformat për veten, dhe jo ta shoh këtë vetëm si kusht nga Bashkimi Evropian.

“Zbatoni reformat dhe merrni përgjegjësi që këto reforma t’i zbatoni për veten tuaj”, këshillon Stjernvall.

Ambasadorja ka treguar se çfarë pret Finlanda nga Kosova dhe çfarë do të ndryshojë në procesin e integrimit të Kosovës në BE gjatë mandatit të këtij shteti.

“Ne presim që Kosova t’i zbatojë reformat, ta rrisë mirëqenien e qytetarëve dhe ta rrisë sundimin e ligjit”, tha Stjernvall.

Me Finlandën në krye të BE-së, Kosova pritet të përqendrohet në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) dhe në rekomandimet e Agjendës Evropiane të Reformave. Stjernvall thekson se kjo është ajo që do të ndryshojë në procesin e integrimit të Kosovës në BE gjatë mandatit të Finlandës në krahasim me të kaluarën.

Nga 1 korriku deri në fund të këtij viti Bashkimi Evropian do të kryesohet nga Finlanda. Kjo është hera e tretë që Finlanda, si vend anëtar i BE-së, kryeson Këshillin e BE-së -ndërsa më 1 janar të vitit 2020 do t’ia dorëzojë mandatin Kroacisë.

Komento: