Liberalizmi i vizave, nga Gjermania thonë se do të ndodh këtë vit

09:08 | 05 Tetor 2022

Ministrja për Evropë e Gjermanisë: Liberalizimi i vizave për Kosovën do të ndodh këtë vit

Liberalizimi i vizave për Kosovën do të ndodh këtë vit, kështu deklaroi së fundmi Ministrja për Evropë e Gjermanisë, Anna Lührmann.

Lührmann për rtv 21 shtoi se procesi i liberalizimit të vizave mund të ndodh para vitit të ri.

Muajin e kaluar Franca, Gjermania dhe Polonia, kanë rikonfirmuar angazhimin e tyre të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Franca, Gjermania dhe Polonia përmes një deklarate të përbashkët thanë se mbështesin plotësisht BE-në që udhëhoqi dialogun Kosovë-Serbi dhe kanë theksuar nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që i mundëson Kosovës dhe Serbisë të avancojnë në rrugët e tyre respektive evropiane dhe të kontribuojnë në stabilitetin në rajon.

Kujtojmë se Presidenca çeke e Bashkimit Evropian e ka vendosur edhe zyrtarisht në rend dite diskutimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Sipas planit që ka prezantuar ajo, çështja e vizave do të diskutohet më 13 tetor.

Javën e kaluar, në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, nga Komisioni Evropian kanë thënë se “u takon shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që ta çojnë përpara çështjen e liberalizimit të vizave”, dhe se KE i inkurajon ato që të vazhdojnë tutje me këtë proces.

Nga KE kanë bërë të ditur për Gazetën Online Reporteri.net se edhe këtë vit do të prezantojnë raportin të shoqëruar me një përditësim teknik për çështjen e liberalizimit të vizave, dhe se aktualisht po punohet në këtë përditësim, i cili sipas KE-së është vetëm “një dokument teknik që paraqet gjendjen e përditësuar që lidhet me standardet e liberalizimit të vizave për ta mbështetur në Këshill”.

Nga KE kanë konfirmuar se Kosova i përmbush të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave dhe se nuk ka ndonjë kusht të ri për të ecur përpara me këtë proces.

Komento: