Liburn Aliu: Po realizohet premtimi për banim të përballueshëm

23:22 | 16 February 2022

Ministri Aliu: Po realizohet premtimi për banim të përballueshëm.

Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë sot se ka filluar të realizohet premtimi i Qeverisë për banim të përballueshëm.

Aliu tha se për këtë, bashkë me drejtorin rajonal të IFC-së për Evropën Qendrore dhe Juglindore, Ary Naïm, ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për studimin e fizibilitetit për projektin e banimit të përballueshëm.

“Një nga premtimet e rëndësishme të programit tonë qeverisës ka qenë banimi i përballueshëm.Qëllimi ynë është që të adresojmë një nga nevojat më urgjente të qytetarëve tanë, që është banimi i përballueshëm”.

“Pasja e banesave cilësore me çmime të përballueshme jo vetëm që do të përmirësojë cilësinë e jetës së tyre, por gjithashtu do të ndihmojë në nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe rritjes së qëndrueshme në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Aliu.

Ai shtoi se studimi i fizibilitetit është hapi i parë i punës për rritjen e mundësive për banim të përballueshëm për ndërtimin e 4,000 njësive banimi moderne me çmime të përballueshme, të ndërtuara në mënyrë të qëndrueshme, duke kontribuar kështu në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Komento:
loading