Liderët e Kosovës dhe qytetarët e saj – në Librin e Ginesit

13:55 | 14 Maj 2019

Liderët e Kosovës, pothuaj tash njëzet vjet, iu kanë premtuar në vazhdimësi zgjedhësve të tyre – „ZERO TOLERANCË NDAJ KORRUPSIONIT“, hapjen e “QINDRA-MIJËRA VENDEVE TË REJA TË PUNËS“, “BARAZINË E QYTETARËVE PARA LIGJIT“, “KRIJIMIN E MUNDËSIVE TË BARABARTA PËR TË GJITHË QYTETARËT E KOSOVËS“, luftimin e “KRIMIT TË ORGANIZUAR“ dhe të “NEPOTIZMIT“, “LIBERALIZIMIN E VIZAVE“, etj. etj., ndërkohë që asnjërin prej këtyre premtimeve nuk e kanë përmbushur. PËRKUNDRAZI.

Kështu, Liderët e Kosovës, besoj, i kanë thyer të gjitha rekordet e liderëve botërorë, për gënjeshtra, mashtrime dhe premtime të rreme, kundrejt qytetarëve të tyre. Ata, për këtë arsye, “meritojnë“ vend të spikatur në Librin e Ginesit, për thyerje të rekordeve botërore.

Nga ana tjetër, qytetarët e Kosovës, po ashtu tash njëzet vjet, iu kanë BESUAR gënjeshtrave, mashtrimeve dhe premtimeve të rreme, të ricikluara para zgjedhjeve, të liderëve të tyre dhe i kanë VOTUAR, tash njëzet vjet, pothuaj të njëjtit liderë.

Kështu, edhe qytetarët e Kosovës, besoj, e kanë thyer rekordin botëror të popujve, për BESIMIN në liderët gënjeshtarë e mashtrues dhe në premtimet e tyre të rreme. Edhe ata, prandaj, “meritojnë“ vend të spikatur, në Librin e Ginesit.

Pa BESIMIN konstant të qytetarëve të Kosovës, në gënjeshtrat, mashtrimet dhe premtimet e rreme të liderëve të tyre, dhe pa VOTËN e të parëve për këta të fundit, – liderët e Kosovës s’do të mund t’i plotësonin kriteret për hyrje në Librin e Ginesit. Qytetarët e Kosovës, prandaj, “meritojnë“ vend më të spikatur sesa liderët e tyre, në Librin e Ginesit, për thyerje të rekordeve botërore.

Komento: