Lideri i çeçeneve reagon për situatën në Kosovë, paralajmëron “pasoja të mjerueshme për umetin mysliman”

11:10 | 01 Gusht 2022

Kadyrovi deklarohet për tensionet Kosovë-Serbi, thotë se problemi është fetar

Lideri çeçen Ramzan Kadyrov ka thënë se është duke e përcjellë situatën mes Kosovës dhe Serbisë.

Kadyrovi, në rrjetin social “Telegram”, shkroi se kjo është një situatë shumë komplekse në të cilën ekziston një palë e tretë, nxitësi, e që sipas çeçenit ajo është NATO-ja.

“Rreth kësaj çështjeje nuk është e mundur që të mbajmë as anën e serbëve e as të kosovarëve. Por ka një qëndrim të qartë dhe të vetëm që të dy duhet ta mbajnë. Kjo nuk ka të bëjë me politikën, por me fenë”, ka shkruar Kadyrovi në “Telegram”, shkruan Zeri.info.

Kadyrovi ka shkruar se Serbia është një vend që e ka mbështetur hapur Rusinë, siç thotë ai, “në luftën kundër nazizmit dhe satanizmit në Ukrainë”.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilin unë e njoh mirë, e kupton shumë mirë se çfarë është NATO-ja dhe çfarë metodash përdor për të nxitur konflikte. E gjithë NATO-ja po përpiqet të korruptojë vendet me vlera tradicionale në një grup njerëzish të këqij pa besim. Aleatët perëndimorë, duke kuptuar se në Ukrainë planet e tyre po dështojnë, vendosën të luftojnë kundër shërimit të plagëve në Ballkan”.

“Është edhe më fyese që në njërën anë, të cilën NATO-ja po e nxit, janë myslimanët kosovarë. Arsyeja zyrtare e konfliktit është aq qesharake dhe banale sa nuk ka dyshim për ndërhyrje nga jashtë. Përpara se të dyja palët të kenë kohë për të diskutuar ndonjë gjë, NATO-ja tashmë po deklaron gatishmërinë luftarake dhe po i vendos forcat e saj në kufi. Ndërsa në Ballkan po luftojnë me njëri-tjetrin, Perëndimi do t’u japë armë dhe do të jetojë në paqe. Mos harroni, është e dobishme për ndjekësit e Satanit të përplasen me besimtarët nën çdo pretekst”, shkroi Kadyrovi, transmeton Zeri.info.

Në fund të shkrimit të tij, ai u bëri thirrje serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës që ta largojnë NATO-n nga ekuacioni i tyre dhe të mendojnë për të ardhmen.

“Atëherë do të ketë një kuptim të problemit dhe zgjidhjen e tij. Ka shembuj të shkëlqyer të bashkëjetesës së njerëzve të feve dhe kombësive të ndryshme. Por nuk ka shembuj të bashkëjetesës së mirë me ndërhyrësit e NATO-s”, theksoi lideri çeçen në “Telegram”.

Komento: