Tash e disa kohë është përfolur për idenë që ndeshjet e Ligës së Kampionëve të zhvendosen nga Evropa, dhe të luhen në një kontinent tjetër.
Vazhdimisht është spekuluar se ndeshjet e garës më prestigjioze evropiane mund të luhen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Dhe si duket kjo gjë mund të kthehet në realitet pas vitit 2025. Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin në një intervistë për “MenInBlazers” nuk e ka përjashtuar mundësinë që Liga e Kampionëve të zhvillojë ndeshjet në Amerikë.
“Ndeshjet e Ligës së Kampionëve të luhen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Është e mundur. Ne kemi filluar të diskutojmë për këtë gjë. Në vitin 2025, finalja është në Munich, pas saj, mbetet të shihet”, tha Ceferin.
Ceferin ka lënë të kuptohet që pas vitit 2025 mund të shohim një format të ri të Ligës së Kampionëve.