Ligji për paga, ja çfarë vendimi pritet të marrë Thaçi

16:59 | 11 February 2019

Ligji për paga i miratur në Kuvendin e Kosovës, mund të diskutohet edhe një herë.

Ligji për pagat i miratuar në Kuvendin e Kosovës më 2 shkurt, vazhdon të kundërshtohet nga disa sindikata të punëtorëve në sektorin publik.

Ndonëse pas miratimit të tij në Kuvendin e Kosovës, shumë deputetë e patën cilësuar atë si një nga vendimet e mëdha, e madje edhe historik, për rregullimin e sistemit të shpërndarjes së pagave në sektorin publik, ndërkohë janë shtuar ankesat ndaj këtij ligji për mospërfshirje të disa kategorive

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli patën deklaruar se me miratimin e këtij ligji janë respektuar standardet më të mira, duke vlerësuar meritat e secilës kategori që paguhet nga buxheti i shtetit. Ky ligj, u tha se siguronte rritje të pagave për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik.

Por, aktualisht në Zyrën e Presidentit të Kosovës, kanë shkuar disa ankesa nga sindikata të ndryshme, duke kërkuar mosnënshkrimin e ligjit, procedurë kjo që mundëson hyrjen në fuqi të ligjit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se do t’i shqyrtojë me kujdes vërejtjet e të gjitha kategorive, para se të nënshkruajë ligjin.

Kurse në një përgjigjeje nga Zyra e Presidentit të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë, thuhet se “Ligji për pagat ende nuk ka ardhur në Presidencë nga Kuvendi i Kosovës. Kur të arrijë në Presidencë, do të shqyrtohet thellësisht”, thuhet në përgjigje.

Kryetari i Sindikatës së Shërbimit Civil të Kosovës, Mursel Zymberi, tregon për Radion Evropa e Lirë, se kanë dërguar ankesë në Zyrën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të njëjtën ankesë e kanë dërguar edhe te shtetet e Quintit në Kosovë.

Kjo sindikatë vlerëson se ligji është diskriminues dhe shkelë parimet që i përcakton vet ligji në fjalë.

“Ne nuk e kemi merituar këtë degradim çfarë na është bërë dhe në asnjë mënyrë nuk mund të pajtohemi me këtë përshkallëzim që na ka ndodhur. Në kapitullin hyrës të këtij ligji thuhet se do të ketë ‘pagë të njëjtë për punën e njëjtë’ dhe të ngjashme. Përderisa për punën e njëjtë njëri sektor me sektorin tjetër dallojnë me mbi 250 euro”, tha Zymberi.

Edhe sindikata e Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”, të hënën ka kërkuar nga presidenti Thaçi që të analizojë profesionalisht Ligjin për pagat dhe t’ia kthejë mbrapsht Kuvendit për rishqyrtim.

Ndërkaq, në Sindikatën e Bashkuar për Arsim Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), thonë se mosratifikimi i këtij ligji do të ishte i mirëseardhur edhe pse ankesë zyrtare në Zyrën e Presidentit të Kosovës nuk kanë dërguar.

Punonjësit e arsimit të cilët kanë mbajtur grevë 14-ditore, kanë përfituar rritje të pagave në bazë të këtij ligji.

Por, Vjollca Shala nënkryetare në SBASHK-ut, thotë se mësimdhënësit e arsimit fillor janë të pakënaqur me koeficientin e tyre në Ligjin e pagave.

“Nëse presidenti i Kosovës nuk e dekreton Ligjin për paga, SBASHK-u nuk do të jetë kundër, pasi edhe gjatë grevës një prej opsioneve të SBASHK-ut ishte edhe tërheqja e Projektligjit për paga dhe kthimi i tij në Qeveri. Kështu që do të ishin ulur institucionet, sindikatat dhe punëtorët dhe do të bënin një Ligj të ri të pagave, ku mësimdhënësit do t’i rangonin në vend meritor dhe do të ishte një Ligj i pagave i pranueshëm për të gjithë sektorët publikë”, tha Shala.

Edhe një pjesë e stafit mjekësor nga reparti i kirurgjisë po e vazhdon grevën nga dhjetori i vitit të kaluar. Kirurgët po insistojë në rritjen e koeficientit me anë të Ligjit të ri për pagat.

Ligji i pagave, i propozuar nga Qeveria Haradinaj, u ndryshua disa here, pasi në kohën e hartimit, u shtuan pakënaqësitë sociale, nga punonjës në sektorë të ndryshëm publikë, të cilët kërkonin rritjen e koeficientit, përkatësisht rritjen e pagave.

Sipas procedurave ligjore, ligjet e miratuar nga Kuvendi i Kosovës, Presidenti i Republikës se Kosovës ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë komuniteteve të saj. Të drejtën e rikthimit të një ligji mund ta shfrytëzojë vetëm një herë.

Presidenti i Kosovës duhet të nënshkruajë brenda 8 ditësh pasi të ketë marrë ligjin e miratuar nga Kuvendi dhe nënshkruar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës.

Kuvendi, me shumicën e votave të të gjithë deputetëve, vendos për miratimin e ligjit të rikthyer nga Presidenti i Republikës, dhe ligji përkatës konsiderohet i shpallur.

Komento: