Ligji për pagën minimale nuk do të dekretohet nga presidentja deri në vendimin e Kushtetueses

19:47 | 21 Korrik 2023
ligji-per-pagen-minimale-nuk-do-te-dekretohet-nga-presidentja-deri-ne-vendimin-e-kushtetueses

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk do ta dekretojë Ligjin për pagën minimale deri në momentin kur Gjykata Kushtetuese ta shqyrtojë kushtetutshmërinë e tij, pas kërkesës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj, Besnik Tahiri, ka dorëzuar të premten në Kushtetuese kërkesën lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale.

Telegrafi merr vesh se këtë kërkesë të AAK-së e kanë nënshkruar edhe dy ish-deputetët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi e Fatmir Humolli.

E nga Presidenca kanë konfirmuar për Telegrafin se Osmani nuk do ta nënshkruajë ligjin deri në vendimin e gjykatës.

“Gjykata Kushtetuese sot e ka njoftuar Presidenten Osmani se grupi parlamentar i AAK-së dhe dy deputetë të tjerë kanë kërkuar shqyrtimin e kushtetueshmërisë së Ligjit për Pagën Minimale. Rrjedhimisht, Presidentja Osmani nuk do ta nënshkruajë këtë ligj, përpara se të kryhet shqyrtimi në Kushtetuese”, ka thënë Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidencës.

Ligji për pagën minimale i cili u miratua në Kuvend javën e kaluar, u kundërshtua përveç nga opozita, edhe nga personat që përfitojnë nga skema pensionale për veteranët e luftës.

Kjo për shkak se ligji nuk e parasheh lidhjen e pagës minimale me pensionin e veteranëve, siç ka qenë në të kaluarën.

Të shtunën, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka mbajtur një protestë në Prishtinë kundër këtij ligji.

Komento: