Ligjin e ri për paga në sektorin publik, këta janë të pakënaqurit

15:05 | 17 November 2019

Jo të gjithë të kënaqur me Ligjin e ri për paga në sektorin publik.

Ligji për Paga në Sektorin Publik do të hyjë në fuqi më 1 dhjetor 2019. Ministria e Financave ka bërë të ditur se mjetet financiare janë në buxhet dhe se janë të mjaftueshme për mbulimin e kostos financiare.

Por, këtij ligji nuk po i gëzohen të gjithë. Kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civil të Republikës së Kosovës, Mursel Zymberi, tha për Radio Kosovën se ky Ligj bën dallime mes sektorëve, e që sipas tij, qeveria e ardhshme duhet ta ndryshojë.

“Unë besoj që këtu do të ketë një konfuzion shumë të madh, situatë të paqartë dhe nëse qeveria dhe kuvendi i ardhshëm nuk e amendamentojnë këtë ligj për të përmirësuar pozitën e shërbyesve civilë, atëherë sigurisht që ky ligj ka për t’u bërë i pamundur për t’u zbatuar”, tha Zymberi.

Skender Bucolli, drejtor në Departamenti për Marrëdhënie me Publikun në KEK, në një përgjigjeje me shkrim për Radio Kosovën, ka thënë se defekti kryesor i këtij ligji është barazimi i punëtorëve të KEK-ut në prodhim me staf administrativ dhe shërbyes civilë.

Ai shton se është e pamundur që niveli aktual i sistematizimit të pagave për punëtorët e prodhimit, inxhinierët dhe specialistët e fushave kritike, të futet brenda kufijve që ka përcaktuar ky ligj. KEK-u bëri të ditur se do të respektojë ligjin prej momentit që hyn në fuqi, por kjo do të ketë pasoja të paimagjinueshme negative në operimin e KEK-ut si dhe prodhimin e qymyrit dhe energjisë elektrike në nivel nacional.

Edhe Lamih Balaj, nga Sindikata e Pavarur e PTK-së, thotë se Ligji i pagave e ka radhitur Telekomin në një paketë me ato ndërmarrje që financohen nga buxheti i Kosovës.

“Ne jemi kompani me konkurrencë në treg dhe nuk mundemi me qenë të kushtëzuar për paga, sepse ne punojmë mbi bazën e ekspertëve dhe në vazhdimësi ndjekim konkurrencën në treg”, deklaroi ai.

Balaj thotë se Telekomi i ka sjellë vendit 500 milionë euro dhe nuk ka se si të përfshihet në Ligjin e pagave, sepse Telekomi është vetëfinancues. Ai thotë se për këtë kanë bërë ankesë te Avokati i Popullit dhe në rast se nuk ndërmerret diçka do të detyrohen të nisin protesta dhe greva.

Kundërshtues të Ligjit të pagave janë edhe KOST-i, RTK-ja dhe disa punëtorë teknikë në sektorë të ndryshëm.

Në një përgjigje me shkrim Zyra e Avokatit të Popullit i ka thënë Radio Kosovës se deri më tani ka pranuar njëzet (20) ankesa lidhur me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, jo vetëm nga sindikatat, por nga grupe të ndryshme, të cilët konsiderojnë se Ligji për Pagat në Sektorin Publik ndikon negativisht në interesat e tyre.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Avokati i Popullit mund të ngrejë çështjen e përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën brenda afatit prej gjashtë muajve pas hyrjes në fuqi të ligjit. Afati ligjor për ngritjen e çështjes në fjalë fillon të rrjedhë nga momenti i hyrjes në fuqi të Ligjit për Pagat.

Komento: