Limaj: Dje u grabitën të drejtat e qytetarëve të Kosovës

12:55 | 14 Prill 2020

Limaj akuzon ashpër qeverinë: Dje u grabitën të drejtat e qytetarëve të Kosovës.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka akuzuar ashpër qeverinë e Kosovës për masat e fundit të ndërmarra në drejtim të kufizimit rigoroz të lëvizjes së qytetarëve.
Limaj në Kuvendin e Kosovës ka thënë se qeveria ka ndërhyrë ashpër në kompetencat e Parlamentit, shkruan lajmi.net.

“Nga momenti i propozuesit për këtë seancë dhe deri sot kanë ndodhur zhvillime të jashtëzakonshme në vend. Zhvillimet e fundit që kanë ndodhur ne duhet t’u japim vëmendje të veçantë. Institucioni më i lartë I vendit, dje është suprimuar, ose kemi një ndërhyrje të vrazhdë të kompetencave të Kuvendit nga qeveria në ikje. Ajo që ka ndodhur dje, duke mos mohuar rekomandimet e IKSHP-së, ne jemi të obliguar që të gjitha masat të jenë në respekt të ligjit dhe Kushtetutës”, ka thënë Limaj.

Tutje, Limaj ka thënë se sipas tij, masat e ndërmarra dje janë grabitje e të drejtave të qytetarëve të Kosovës, dhe në këtë drejtim, kjo sipas tij është shkelje flagrante e Kushtetutës.

“Ajo që ka ndodhur dje, jep një alarm për shkeljen e Kushtetutës shumë më vrazhdë se herën e kaluar. Jam i trishtuar për mos-reagimin e shumë institucioneve që paguhen për mbrojtjen e të drejtave të njeriut . Ajo që ka ndodhur dje është grabitje e të drejtave të qytetarëve të Kosovës. Me një vendim arbitrar, një institucion që nuk e ka legjitimitetin e ka suspendu kompetencat e Kuvendit”, ka thënë Limaj.

Kuvendi ndërkaq është duke vazhduar diskutimet lidhur me dy projektligjet e propozuara nga PDK me mocion procedural.

Komento: