Limaj e Ahmeti kanë një kërkesë për Mogerinin

21:10 | 08 Janar 2019

Është zhvilluar sot takimi në Bruksel i ekipit negociator me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherinit.

Duan ta mbajnë Presidentin Thaçi nën kontroll, aq sa edhe ftesat e Brukselit për të, të kalojnë në detektorin e delegacionit të formuar nga qeveria dhe PSD-ja.

Fatmir Limaj tha se s’do të bëhet asgjë pa lejen e Kuvendit, ndërsa Shpend Ahmeti tha se Bashkimi Evropian nuk përkrah marrëveshje me ndarje në vija etnike.

Kështu u deklaruan dy bashkëkryesuesit pas takimit me Federica Mogherinin, ndonëse Presidenti Thaçi vazhdon t’i mbajë të painformuar për takimet e tij sekrete dhe nuk u ka dorëzuar asnjë dokument te delagacioni.

Përvec takimeve të këndshme me Hashim Thaçin, dhe përplasjeve me Ramush Haradinajn, Federica Mogherini të marten e pati mundësinë që t’i takojë edhe dy liderë të tjerë kosovarë, Fatmir Limajn dhe Shpend Ahmetin, bashkë me ekipin e tyre, që për nga numri ishte saktësisht sa një skuadër futbolli.

Njëmbëdhjetë burra u ulën përballë Mogherinit dhe asistenteve të saj për t’u njohur e për të biseduar rreth rolit të këtij delegacioni.

Takimin e sotëm me delegacionin kosovar, që është formuar nga rezoluta e miratuar në Kuvend, ndërmjetësuesja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Federica Mogherini e shfrytëzoi për t’u kërkuar atyre që ta heqin taksën ndaj produkteve serbe.

Derisa Limajn e kishte takuar edhe më herët, me kryetarin e Partisë Socialdemokrate Mogherini të marten u takua për herë të parë.

Kur Ahmeti doli para mediave, tha se në takimin njohës treguan se cili do të jetë roli i këtij ekipi negociues, të cilin përfaqësuesja e Lartë, në letrat dërgar kryeministrin e ka quajtur si i instrument mbështetës i dialogut që zhvillohet mes presidentëve.

Ahmeti tha pas takimit se Brukseli përkrah një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, nëse ajo bëhet sipas “vlerave evropiane, që nuk janë shtetet etnikisht të pasra”

“Për BE-në është e papranueshme një zgjidhje e cila e ndan Kosovën në vija etnike. Pozicioni i BE-së është një marrëveshje që është e pranueshme për të dyja palët, nëse është në përputhje me vlerat ndërkombëtare. BE-ja nuk përkrah shtete etnikisht të pastra”, ka thënë Ahmeti.

Derisa ky delegacion është ishte nisur për takim në Bruksel, ku ndër temat kryesore ishte taksa që qeveria e Kosovës u ka vendosur produkteve serbe, Thaçi nga Prishtina u përkujdes që të “ndajë merita” për autorët e tarifave për mallrat serbe. Sipas presidentit, ideja e taksës ka qenë e zv. Kryeministrit nga radhët e PDK’së, Enver Hoxhaj.

Limaj, partia e së cilit drejton Ministrinë e Tregtisë, nga Brukseli i kërkoi Thaçit të mos bëjë garë, sepse, sipas tij, kjo nuk i bën nder presidentit.

“Vendimet shtetërore janë vendime shtetërore. Nuk ka vendime e propozime individuale. Qeveria e ka një kryeministër, e ka një qeveri, një koalicion. Politikat i bën koalicioni, vendimet i merr Qeveria”, tha Limaj për Gazetën Express gjatë qëndrimit të tij në kryeqytetin e Bashkimit Evropian.

Tutje, zëvendeskryeministri Limaj tha se këtë takim e shfrytëzuan që të tregojnë se Kosova në tavolinë me Serbinë prezantohet në një strukturë të vetme, dhe për cdo gjë merret leje nga Kuvendi.

Zyra e Mogherinit disa herë ka theksuar se dialogu mes palëve do të zhvillohet në nivel të lartë, përkatësisht me Hashim Thaçit e Aleksandër Vuciqit.

Delegacioni, që në masë të madhe përbëhet nga kundërshtarë të idesë së Thaçit për ndryshim kufijsh, ka qëllim ta mbajë nën kontroll të parin e shtetit.

Madje, Limaj tha se sot kërkuan që Brukseli edhe ftesat për Presidentin t’i dërgojë përmes delegacionit.

Sipas kreut të Nismës, nuk do të zhvillohet dialog mbi baza individuale.

Serbia refuzon të vazhdojë bisedimet me Kosovën për aq kohë sa nuk hiqet taksa që qeveria Haradinaj i ka vënë produkteve serbe.

Heqjen e taksës e kërkojnë vazhdimisht autoritetet ndërkombëtare, e e kerkoi sërish Mogherini nga delegacioni shtetëror.

Delegacioni kosovar, megjithatë nuk është lëkundur nga qëndrimi i Qeverisë.

“Taksa nuk heqet pa u hequr arsyet e vënies së saj”, deklaruan bashkëkryesuesit e ekipit negociues në konferencën për media.

Nga ana tjetër, ekipin negociues, me atë cka deklaruan sot për Gazetën Express dy prijësit e tij, Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj, presidenti Thaçi po i mbanë në terr informativ. Ai ende nuk ua ka dhënë dokumentet relevante për temat që deri më tani kanë diskutuar me presidentin serb, Aleksander Vuciq.

Ndërkaq dy bashkëkryesuesit e delegacionit shtetëror për dialogun, nuk janë informuar nga Presidenti Thaçi se cka ka folur ai me diplomatin amerikan në Berlin, Richard Grenell. Takimi me njeriun e afërt të Trumpit është mbajtur muajin e kaluar dhe nuk është bërë publik nga Zyra e Presidentit.

E, pas takimit, Thaçi për Washington Post tha se Kosova është e gatshme ta heqë taksën.

Prestigjiozja amerikane shkruante se administrata e Trumpit po kërkon ‘kanale të pazbuluara’ për të arritur shtensionimin e raporteve mes Kosovës e Serbisë.

Limaj tha se Thaçi nuk i ka treguar delegacionit kosovar se cka ka biseduar me diplomatin amerikan.

“Ne nuk kemi pasur asnjë informacion për takimin e presidentit për rastin që po flisni”, është shprehur Limaj.

Ahmeti deklaroi se takimet e Presidentit Thaçi me ambasadorë nuk janë të nevojshme për t’i ditur ekipi negociues.

“Nuk ka çka me na tregu që takohet Thaçi me ndonjë ambasador”, ka thënë Ahmeti në një prononcim për Gazetën Express.

Derisa dy kryesuesit dolën nga takimi me Mogherinin, pjesa tjetër e delegacionit vazhduan me takime të tjera me zyrtarë të BE’së.

Menjëherë pas Ahmetit dhe Limajt nga takimet dolën zëvendeskryeministrat Begjet Pacolli dhe Enver Hoxhaj.

Pjesë e delegacionit janë edhe Avni Arifi nga AAK, Mahir Jagcilar nga 6+, Blerim Shala si këshilltar i presidentit, zv.kryeministrin Dardan Gashi. Nga PSD janë edhe Visar Ymeri dhe Dukagjin Gorani, të cilët plotësojnë vendet e zbrazëta të LDK’së dhe Vetëvendosjes, që po refuzojnë të jenë pjesë e ekipit negociues. Pjesë e takimit të sotëm ishte edhe ambasadoi i Kosovës në Bruksel, Bernand Nikaj.

Komento: