Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka folur për taksën.
Ai ka thënë që sa i përket vendimit për taksën prej 100% ndaj mallrave të Serbisë do ta përkrahin kryeministrin Haradinajn.
Në emisionin Zona B në Klan Kosova, Limaj tha që Serbia deri tani asnjëherë nuk ka treguar shenja se dëshiron që të ulet në tavolinë dhe të bisedojë me Kosovën drejt arritjes së një marrëveshjeje.
“Vendimi (s’ka personalizim të vendimeve) për taksën është vendim politik i votuar në qeverinë e Kosovës dhe qeveria e Kosovës merr përgjegjësi për atë punë dhe ne i qëndrojmë prapa kryeminsitrit tonë, për çfarëdo vendimi që ka marrë e që merr dhe që është në fuqi.Sikurse që e këshillojmë kryeministrin dhe e ndihmojmë për veprimet që duhet të merren në të ardhmen- pra kjo është detyra e jonë e funksionimit. Nuk kemi problem me SHBA-të ata dhe BE-në të cilët kërkojnë të krijohet një klimë e bisedimeve për dialog dhe taksën e shohin si një nga problemet pengesë e fillimit të bisedimeve – këtu kemi mirëkuptim”, ka treguar Limaj.
Ai ka thënë se Serbia duhet t’i ndalë veprimet e veta armiqësore në drejtim Kosovës.
“Sa herë Serbia ka krijuar klimë për të biseduar dhe nëse hymë dhe i nënshtrohemi ultimatumeve nuk do të krijohet klima për të cilën po presim për të filluar një dialog normal e cila do të rezultonte me përmbylljen e marrëveshjes. Duhet të krijohet klimë e dyanshme – Serbia duhet t’i ndalë veprimet e veta armiqësore në drejtim Kosovës dhe ta shpreh vullnetin për t’u ulur dhe për të gjetur marrëveshjen”.