Limaj – Kurtit për veriun: Kurrë mos e fol fjalën e fundit të parën

21:56 | 26 September 2021

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë në emisionin Pressing në T7 se Qeveria e Kosovës nuk ka pasur plan B kur mori vendimin për futje në veri të Kosovës.

Ai thotë se në këtë kohë, kur efektivët e Policisë janë në veri, duhet të mos thuhen disa gjëra. Por gjithsesi, ai kritikon vendimin e Qeverisë.

“Sonte do të doja të flas më shumë rreth kësaj teme. Kam shumë për të thënë, por do ta ndaloj veten për të mos thënë edhe shumë gjëra për faktin se ne atje kemi djemtë. Kemi Njësinë Speciale e cila po kryen detyrat që i kanë thënë drejtuesit e tyre. Për respekt të atyre që janë atje e që janë në krye të detyrës unë ftoj që të kemi kujdes kur flasim për situatën atje. Përndryshe, ajo që po shohim, një aksion i tillë merret kur keni edhe planin B. Duhet të keni dy-tre skenarë për tu përshtatur dhe vepruar në bazë të skenareve. Kam përshtypjen se deri më tani nuk kemi patur një plan B. Një fjalë popullorë në Kosovë është shumë e shpërndarë kur themi se fjala e fundit nuk thuhet e para. Edhe veprimin e fundit nuk duhet ta bësh të parin. Qeveria më duket e ka bërë këtë. Futja e reciprociteti të targave është veprim i duhur pa asnjë dyshim. Por implementimi duhet të shkojë si në Dheun e Bardhë dhe Merdarë”, thotë ai.

Tutje Limaj thotë se Policia e Kosovës është dashur të dërgohet si opsion i fundit dhe futja e tyre prej fillimit ishte e gabuar.

“E dijmë që janë një apo dy pika më të nxehta. Ka qenë dashur të shkohet me një forcë pak më të madhe se zakonisht dhe të implementohej vendimi. Nëse do të kishte probleme, do të kishte kohë të mjaftueshme për zgjidhje tjera dhe rrugë diplomatike. Do mund të thonim se kishim probleme me implementimin e një vendimi shtetëror. Nuk ka nevojë të ketë tensione. Duhet të provohej deri në fund. Njësia Speciale është dashur të futej në veprim pas bllokadës. Është njësiti më i lartë operativ, pas FSK-së. Andaj thashë që veprimi i fundit nuk bëhet i pari”, përfundoi ai.

Komento: