Limaj për Kurtin: Duhet të qartësojë kush janë kriminelët në Ballkan

23:08 | 19 Maj 2021

“Mos të frikësohet të thotë a është Vuçiqi”

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka komentuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti se Ballkani duhet të çlirohet nga disa kriminelë të luftës.

Limaj tha se Kurti duhet të qartësojë kush janë ata kriminelë në Ballkan duke shtuar se nuk duhet të frikësohet nëse e ka fjalën për Vuçiqin.

“Me shiku kështu me del si me qenë përfaqësues i BE-së për Ballkanin kjo deklaratë. Detyra e kryeministrit të Kosovës është interesi i vendit të vet. Ai duhet të qartësojë kush janë ata kriminelë në Ballkan. Ai nuk duhet të frikësohet të thotë se a është Vuciqi, le të na sqarojë. Ky transformim në këto tema është goxha interesant. Mendoj se është deklarim skandaloz, nuk i shkon kryeministrit kështu. Shpresoj që ai ta përmirësoj”, ka thënë Limaj në ATV.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje ka qëndruar në Bruksel për një darkë të cilët e ka shtruar përfaqësuesi i Lartë i BE’së, Josep Borell, e në të cilën kanë marrë pjesë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Pas takimit, në një konferencë për media, Kurti ka përmendur edhe tri shtyllat kryesore mbi të cilat vendet e Ballkanit e Përëndimor, përfshirë edhe Kosovën, mund të ecin përpara drejt integrimit në BE. Një nga këto shtylla, siç thotë Kurti, është eliminimi nga skena politike e kriminelëve të luftës, megjithatë ai nuk e ka specifikuar se për kë saktësisht e ka fjalën.

“Në anën tjetër, të gjitha vendet e Ballkanin Perëndimor do të mund të ecin shumë më shpejtë, nëse i përmbahen tri, le të themi, vlerave shumë të rëndësishme. E para është demokratizimi, e dyta është sundimi i ligjit, dhe e treta është ballafaqimi me të kaluarën, pra eliminohen nga skena politike e institucionale, kriminelët e luftës. Edhe më tej në Ballkan Perëndimor kemi edhe kriminel të luftës dhe kriminel të paqe të cilët dominojnë në institucione dhe parti politike, dhe kjo do të marrë fund, dhe në këtë mënyrë do të krijohen kushtet edhe për më shumë shpresë, dhe më shumë besim në të ardhmen. Demokratizimi kundër autokracisë, sundimi i ligjit kundër monopolit dhe oligarkëve dhe ballafaqimi me të kaluarën, meqenëse kemi përjetuar 4 luftëra në Ballkan, përgjegjësit për të cilët, dhe shumë prej fajtorëve, qoftë urdhërdhënës qoftë si ekzekutor vazhdojnë të jenë të pajisur me pushtet politik”, ka sqaruar Kurti.

Komento: