Limaj prezanton tre kandidatë për deputetë: Kanë përvoje institucionale

12:38 | 08 November 2024
limaj-prezanton-tre-kandidate-per-deputete:-kane-pervoje-institucionale

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, përmes një postimi në Facebook, ka prezantuar ekipin e kandidatëve të kësaj partie nga dega e Ferizajt.

Ai shprehet me krenari për këtë grup që synon të sjellë kontribut të çmuar për qytetin e Ferizajt dhe gjithë Kosovën.

“Me kënaqësi, sot kam nderin të prezantoj kandidatët tanë nga dega e Ferizajt, të cilët do të sjellin kontribut të çmuar në Ferizaj dhe Kosovë!” shkruan Limaj.

Besnik Berisha, ish-zëvendësministër dhe aktualisht kryetar i degës së Nismës në Ferizaj, përmendet si një person me përvoja të gjata në nivele të larta të administratës shtetërore.

Sipas Limajt, përvoja dhe përkushtimi i tij e bëjnë atë një kandidat të besueshëm dhe të vendosur për të sjellë ndryshime pozitive në komunitet.

Agnese Hajredini, drejtoreshë e administratës në Komunën e Ferizajt, përshkruhet si një profesioniste e përkushtuar dhe e aftë në menaxhimin e proceseve administrative.

Sipas tij, ajo ka punuar vazhdimisht për përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve dhe ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në komunë.

Burim Ugzmajli, një figurë e respektuar në fushën e arsimit, plotëson ekipin e kandidatëve. Limaj e cilëson atë si një profesionist me vizion të qartë për zhvillimin e sektorit arsimor, duke theksuar rëndësinë e përkushtimit të tij për përmirësimin e arsimit në komunitet.

“Kjo është një ekip i përkushtuar dhe i gatshëm për të punuar për të mirën e qytetarëve tanë dhe për të kontribuar në progresin e përbashkët të Ferizajt,” përfundon Limaj, duke shprehur besimin se me këtë ekip të fuqishëm, Nisma do të arrijë rezultate të jashtëzakonshme në Ferizaj.

Komento: