Fatmir Limaj ka thënë se ka informata që Albin Kurti është takuar me Hashim Thaçin.
E kjo ka nxitur reagimin e Vetëvendosjes e cila e ka quajtur të pavërtetë këtë deklaratë.
Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj sot deklaroi se ka informata se ka ndodhur një takim mes kandidatit për kryeministër të LVV’së, Albin Kurtit dhe presidentit Hashim Thaçit.
“Kam informata që është zhvilluar një takim mes Hashim Thaçit e Albin Kurtit”, ka thënë Limaj në RTV Dukagjini.
Zyra për media e Lëvizjes Vetëvendosje në një përgjigje për Express thonë se diçka e tillë nuk është e vërtetë.
“Kjo deklaratë është tërësisht e pavërtetë”, thuhet në përgjigjën e VV’së.
Së fundmi kanë nisur përplasjet dhe akuzat mes Nismës dhe VV’së për shkak të numërimëve e rinumërimeve të votave nga zgjedhjet e 5 tetorit.
VV’ja që ka dalë e para në zgjedhje ka humbur dy mandate me kalimin e pragut nga Nisma.