Limaj thotë se ka ardhur koha që shteti serb ta njohë pavarsinë e Kosovës

13:39 | 02 January 2019

Fatmir Limaj, ka folur për dialogun me Serbisë, e për shumë çështje tjera për mediat serbe

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka dhënë një intervistë të gjatë për mediet serbe.

Në këtë intervistë, numri dy i qeverisë së Kosovës ka folur për dialogun me Serbinë, taksën 100%, Gjykatën Speciale dhe tema tjera.

Poashtu ka folur edhe për arsyet që çuan shqiptarët në formimin e UÇK-së dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuciq. Limaj ka thënë se është koha që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës. Limaj i cili është votuar nga Kuvendi i Kosovës si bashkëdrejtues i Delegacionit Shtetëror për Bisedime me Serbinë ka thënë se në fazën finale të dialogut pret të arrihet një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

Në këtë intervistë për mediet serbe, kryetari i Nismës Socialdemokrate ka thënë se Kosova është shtet i pavarur, i njohur dhe pranuar nga më shumë se 100 vende të botës dhe nga të gjitha shtetet që rrethojnë Serbinë. Sipas, Limajt është koha që Serbia të bashkëjetojë me ketë realitet.

“Për të gjithë është i njohur çka nënkupton për Kosovën dialogu me Serbinë dhe cili është synimi i Kosovës dhe atë e thashë edhe me lart. Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse obliguese për palët që çon në njohje reciproke, anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe ky është pozicioni zyrtar i Republikës së Kosovës. Natyrisht në atë marrëveshje gjithëpërfshirëse do të ketë tema të veçanta që Kosova do t’i ngritë sikundër që edhe Beogradi mund të propozojë tema të veçanta për t’i trajtuar. Në anën tjetër, ende nuk kemi parë asnjë dokument apo propozim zyrtar nga Beogradi se si e sheh marrëveshjen përfundimtare”, ka thënë Limaj për ‘expres.net’.

Sa i përket taksës 100%, Limaj ka thënë se kjo ka ardhur si rezultat i sjellës agresive nga ana e shtetit serb ndaj Kosovës. Taksa ka ardhur fatkeqësisht si rezultat i sjelljes agresive deri në kufij armiqësore e shtetit serb në drejtim të Kosovës. Kosova për vite të tëra ka toleruar sjelljen agresive dhe pengesat që Serbia ia ka bërë shtetit të Kosovës, biznesit të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Serbia në vazhdimësi ka penguar qarkullimin e lirë të mallrave dhe njerëzve nga Kosova në drejtim të Serbisë. Ajo ka vënë pengesa të ndryshme burokratike, barriera jotarifore duke mos njohur e pranuar dokumentacionet e lëshuara nga administrata jonë shtetërore, duke improvizuar lloj-lloj pengesash administrative për t’ia pamundësuar lëvizjen e lirë biznesit të Kosovës në drejtim të Serbisë dhe qarkullimit të lirë të qytetarëve.

Shto këtu edhe sjelljen penguese e agresive të Beogradit nëpër forume të ndryshme ndërkombëtare kanë sjellë në një pikë që Kosova ka qenë e detyruar të reagojë në funksion të vetëmbrojtës. Çfarë reagimi tjetër mund të pritni nga një shtet i cili fyhet, i cili nuk njihet, punohet kundër tij, hyn mallra duke përbuzur emërtimin e tij kushtetues, nuk respekton asnjë ligj të atij shteti dhe në anën tjetër kërkoni që të mos ju preken interesat e juaja tregtare apo ekonomike.

Deri më tani marrëdhëniet Kosovë-Serbi kanë qenë të njëanshme vetëm në interes të Serbisë. Kështu nuk shkon më. Ne jemi për marrëdhënie bashkëpunimi siç kemi dëshmuar në të kaluarën, mirëpo me respekt të dyanshëm dhe reciprocitet. Në situata normale vënia e tarifës është absurde dhe në kundërshtim me vizionin tonë për ekonomi të lirë e qarkullim të papenguar të mallrave dhe njerëzve, mirëpo siç e potencova edhe me lart, është e qartë se marrëdhëniet Kosovë-Serbi janë jonormale dhe për t’u kthyer në situatë normale ne presim ndryshimin e sjelljes të Serbisë.

Serbia nga fillimi deri më tani ka rrënuar themelet për çka është ndërtuar CEFTA, e ajo është fryma e bashkëpunimit dhe respekt të ndërsjellët si parakusht për përmirësimin e klimës politike”, ka thënë Limaj.

Duke folur për Gjykatën Speciale, kryetari i Nismës ka thënë se diskursi publik dhe narrativë në Serbi është në shumë raste më keq se në kohën e Sllobodan Millosheviçit. “Portretizimi dhe përshkrimi denigrues që ne na bëhet nëpër media e studio të Beogradit arrin objektivin për të mashtruar dhe për t’ia pamundësuar qytetarit të rëndomtë serb ta shohë të vërtetën.

Qytetarët serbë në të kaluarën jo rrallëherë kanë qenë viktimë e propagandës manipulative mashtruese të kastave të ndryshme politike që kanë pasur objektiva të caktuara për të ndërtuar një narracion që atyre u ka dashur për qëllime afat shkurta politike. Fatkeqësisht ne edhe sot shohim nëpër studio televizive me frekuenca nacionale një garë kush i urren më shumë shqiptarët dhe kush po nxjerr gjoja pseudofakte për të njollosur e nxirë figura të ndryshme në Kosovë. Kur dëgjoni ju sot nga të ashtuquajturit intelektual, opinionistë e politikanë cilësime si barbarë, egërsira, njerëz të malit, e vetmja gjë për të cilën ndjen keqardhje është qytetari serb i cili edhe sot ka mundësi të kufizuara për t’i njohur fqinjët e vet shqiptarë.

Nga kjo dua t’i kuptoj pse ata janë të sterngarkuar me paragjykime për shqiptarët. Porosia ime për ata të cilët gjithë ditën e kanë gojën për civilizim e qytetërim është të pranojnë një nga shtyllat e civilizimit që janë vendimet gjyqësore, na pëlqyen ose s’na pëlqyen të pranojnë e respektojnë vendimet gjyqësore”, ka shtuar Limaj. “Unë kam kaluar nëpër tri procese gjyqësore. Një në Hagë dhe dy në Kosovë dhe në të tri rastet trupat profesionale ndërkombëtarë më kanë shpallur të pafajshëm.

Do të doja shumë që edhe në Serbi të fillohet të pranohen vendimet gjyqësore, njerëzit e akuzuar t’i përgjigjen drejtësisë, të distancohen nga regjimi i cili është gjykuar në Hagë, t’i pranojnë krimet që janë kryer në të gjitha vendet e Ish Jugosllavisë e jo t’i mohojnë sot e kësaj dite të mos i glorifikojnë të dënuarit me vendim të prere gjyqësor për krime lufte.

Me një fjalë është koha kur Serbia guximshëm duhet të pranoj dhe të distancohet nga një regjim i cili ka sjellur dhimbje e krim për popujt e ish Jugosllavisë. Kjo pikë së pari është në interesin e popullit serb dhe pastaj në respekt te të gjitha vuajtjeve që i ka sjellë popujve tjerë si parakusht për të treguar që ata seriozisht janë shkëputur tërësisht nga ai mentalitet i regjimit të kaluar. Fatkeqësisht edhe sot e kësaj dite krimet, masakrat që Ushtria dhe Policia Serbe i ka bërë në Kosovë mohohen edhe nga krerëve të shtetit serb”, ka theksuar Limaj. Në këtë intervistë, Limaj ka folur edhe për vrasjen e Oliver Ivanoviqit për të cilin ka rast ka thënë se është një triumf i krimit. “Kjo është punë ekskluzive e organeve hetimore dhe ne të gjithë presim zbardhjen e këtij krimi. Jam i bindur që organet tona të drejtësisë do ta kryejnë punën e tyre.

E marr me mend që familja e Ivanoviqit pret me padurim zbulimin e se vërtetës dhe ju siguroj se i gjithë opinioni publik pret zbardhjen e këtij rasti. Ndihmën më të madhe që mund ta bëjmë është t’i lëmë organet ta kryejnë punën e tyre profesionale pa ndërhyrje nga jashtë e politizim”, ka thënë Limaj. I pyetur pse i është bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Limaj ka numëruar një serë argumentesh të cilat çuan shqiptarët në formimin e UÇK-së.

“Sepse atëherë regjimi i Millosheviqit nuk la rrugë tjetër për të jetuar. Ai mbylli shkolla, largoi njerëzit nga puna, filloi vrasjet, nisi ora policore, gjendjen e jashtëzakonshme, burgosje, rrahje, dhunime, mbylli universitetin, mediat, praktikisht një popull e nxori jashtë ligjit dhe në atë kohe shqiptarët kanë qenë tërësisht të pambrojtur dhe keni mund të bëni gjithçka ndaj shqiptarëve duke mos dhënë asnjë llogari. Filloi kolonizimi i ri i Kosovës nga refugjatët serb që vinin nga zonat e luftës si pasojë e politikës së Millosheviqit.

Me gjithë përpjekjet tona që përmes politikës paqësore të demonstrojmë e të tërheqim vëmendjen e njerëzve për atë që po ndodhtë në Kosovë, Millosheviqi në vend t’i përgjigjej kësaj politike ai e shtoi represionin dhe dhunën.

Kështu që në atë kohë nuk kishim shumë zgjidhje të iknim nga Kosova, të jetonim për aq sa mundemi në ato kushte represioni e terrori apo t’i kundërviheshim atij regjimi. Dhe unë zgjodha këtë të fundit. T’i kundërvihem regjimit të Millosheviqit. Me një fjalë edhe për angazhimin tim në UÇK dhe bashkëluftëtareve të mi edhe për lirinë e Kosovës një merite të madhe paradoksalisht kane njerëzit që në atë kohë e kanë udhëhequr politikën në Beograd”, ka shtuar Limaj.

Limaj ka thënë se presidentin e Serbinë e ka takuar në Hagë duke e shërbyer me kafe Sheshelin. “Vuciqin kam pas rastin ta shoh në Hagë.

Ai së bashku me Nikoliçin vinin e viziton kryetarin e tyre z. Sheshel. Shpesh e kam parë në dhome të vizitave duke punuar në lëndën e Sheshelit, në dosje. Ka pasur raste kur e kam parë duke e shërbyer Sheshelin me kafe”, ka përfunduar Limaj.

Komento: