Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në QKUK të hënën.
Të hënën në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK në Prishtinë ka lindur një foshnje të cilës nuk i dihet ende gjinia.
Një rasti i rrallë është regjistruar në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK në Prishtinë, ku ka lindur një foshnje me dy gjini.
Kjo foshnje është duke qëndruar në Klinikën e Neonatologjisë dhe drejtori i kësaj klinike, Xhevdet Gojnovci, sot ka thënë detaje dhe ka treguar për gjendjen shëndetësore të foshnjes.
Ai ka thënë se foshnja ka lindur para kohës, pra në javën e 32-të dhe është duke u mbajtur në kujdesin intensiv.
“Në repartin e Neonatologjisë, gjegjësisht në kujdesin intensiv është pranuar një foshnje e cila ka lindur në klinikën Obstetrike Gjinekologjike, e cila ka lindur para kohe, me peshë 995 gramë. Është duke u trajtuar si Syndroma Hyperplasia e gjëndrës mbiveshkore. Për momentin janë marrë analizat, janë duke u bërë konsultat e nevojshme me mjekë specialist të Radiologjisë, Kirurgjisë së fëmijëve, specialist nga Gjenetika dhe Klinika e Pediatrisë gjegjësisht nga endokrinologu”, ka thënë Gojnovci para medieve.
Ai ka treguar se ky është rasti i dytë brenda këtij viti, ndërkaq ka shpjeguar se lindja e tillë është si pasojë e një sindrome të organeve gjenitale.
“Ky është rasti i dytë këtë vit me këtë simptomë e cila u jep ndryshime organeve gjenitale. Meqenëse është në kogjenitale, ka ndryshime gjenetike kromozomale, për ata edhe i kemi thirrur në konsultë edhe gjenetikistin edhe endokrinologun. Këto mund të jenë edhe ndryshime hormonale që i prodhon kjo gjëndër dhe manifestohet me këto ndryshime”, ka shpjeguar Gojnovci.
Ai ka bërë të ditur se nëse vërtetohet kjo sindromë, me anë të terapisë adekuate mund të shërohet.
“Në qoftë se vërtetohet sindroma, me terapi do të shkojë gjithçka mirë sipas të gjitha gjasave. Foshnja për momentin është në ventilim mekanik, mushkëritë janë të papjekura por po trajtohet me terapi”, ka thënë Gojnovci.
Ndërkaq ka theksuar se meqenëse foshnja ka lindur para kohe, është në ventilim mekanik, ka nevojë për përkrahje respiratore sepse mushkëritë janë të papjekura dhe është duke u trajtuar me terapi në intensivë.