
Liridona Sijarina, aktiviste për të drejtat e grave kanë ngritur shqetësimin në lidhje me një grup të organizuar burrash që po shpërndajnë pa leje video dhe fotografi të vajzave e grave. Për këtë ajo ka theksuar mbështetjen Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist për të ndjekur rrugën për drejtësi.
“Së fundmi kanë dalë informacione që grupe të organizuara burrash po shpërndajnë pa leje fotografi dhe video të vajzave dhe grave në Kosovë. Kjo formë e abuzimit virtual po shndërrohet në një nga krimet më të shpeshta që po ju bëhet vajzave dhe grave aktualisht.Teksa qëndrojmë në solidaritet të gjitha, ne ua risjellim në vëmendje se përtej solidaritetit simbolik, ne jemi të gatshme për t’iu ndihmuar në rrugën tuaj për drejtësi. Garda jonë është në dispozicionin e kujtdo që është target i dhunës me bazë gjinore. Jemi këtu për të luftuar krah jush për çlirim prej abuzimit. Na shkruani, ose ndajeni me këdo që mund të ketë nevojë për ndihmë në procesin e raportimit në polici”, ka shkruar Sijarina.
Po ashtu edhe “Linja e Jetës” kanë thënë se qëndrojnë me vazjat dhe gratë që po preken nga shpërndraja e fotografive dhe videove intime të tyre.
“Linja e Jetës qëndron me vajzat dhe gratë që po preken nga shpërndarja e fotove dhe videove intime pa pëlqimin e tyre. Kjo është shkelje ligjore dhe një formë e dhunës digjitale. Mbi të gjitha, ajo mund të ketë efekte të rënda në gjendjen emocionale të personave të prekur, duke shkaktuar ankth, frikë, turp dhe izolim. Linja e Jetës është këtu për të ofruar mbështetje. Nuk je vetëm. Nuk është faji yt. Nëse je e prekur nga kjo situatë, Linja e Jetës mund të jetë hapësira jote e sigurt, ku do të dëgjohesh dhe do të mbështetesh”, shkruan “Linja e Jetës”.