lir Deda e voton buxhetin dhe dialogun, si rrallë herë doli në krahë të pozitës

17:53 | 04 February 2019

Kaluan orë të tëra, deri në votimin e Buxhetit të vitit 2019, në Kuvendin e Kosovës.

Pa asnjë pauzë, deputetët i siguruan 61 vota koalicionit qeverisës. Si jo rrallë herë, në krah të pozitës doli edhe deputetja e LDK’së, Teuta Rugova por edhe deputeti i Alternativës, Ilir Deda.

Përveç buxhetit në Kuvend u diskutua edhe për ligjin për dialogun, e edhe për ligjin për pagat, e nuk munguan as përplasjet.
Pazari i parë që bëri pozita në këmbim të votave të nevojshme për buxhetin e këtij viti ishte me numrat që i siguroi te Partia Social Demokrate, ani pse kjo e fundit e kushtëzoi në disa pika.

Por, siç duket këto vota nuk qenë të mjaftueshme, andaj siç kemi parë disa herë në krah të pozitës, doli e “heshtura” e LDK’së, Teuta Rugova, me votën e saj pro, në mungesë të Listës Serbe.

Përveç Teutës, këtë herë, për dallim nga bashkëpartiakja e tij Mimoza Kusari-Lila, votoi pro edhe deputeti i Alternativës Ilir Deda.

Në listën e votave të deputetëve mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2019’të, shihet se nga 95 deputetë sa kanë qenë gjithsej prezent, 65 prej tyre kanë votuar pro.

Aty shihet vota pro e Rugovës si edhe e Dedës, ani pse bashkëpartiakët e tyre nuk kanë votuar fare.

E ndërkaq, në listën tjetër që ka siguruar Express, shihet se në Projektligjin për Pagat që ka kaluar me 63 vota, Rugova ka votuar pro, ndërkaq Deda kësaj here ka abstenuar, për dallim nga Kusari-Lila që nuk ka votuar fare.

Ilir Deda e Teuta Rugova nuk e kanë kursyer votën e tyre as në Ligjin për Dialogun, ani pse këtë herë edhe pse ishin të pranishëm në seancë pro këtij ligji nuk votuan as deputetët e PDK’së, Nait Hasani e Flora Brovina.

Në një përgjigje për Express, deputeti Ilir Deda ka thënë se publikisht ishte deklaruar se do të përkrahë buxhetin në lexim të dytë, ndërkaq ka shtuar se Kusari-Lila nuk ka qenë në seancë.

“Kam deklaruar publikisht se do të votoj pro ashtu siç kam votuar edhe në vitin e kaluar për Buxhetin. Edhe për votën për dialogun jam deklaruar publikisht”, deklaroi ai.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan buxhetin pas një seance maratonike e cila nisi në orën 10:00, për të mbaruar në orën 02:00 pas mesnatës.

LDK e Vetëvendosje ishin të parët që kundërshtuan këto votime ani pse qëndruan tërë kohën në seancë.

Ndërkaq, PSD’ja e kushtëzoi pozitën në pesë pika, njëra prej tyre, shkarkimi i Ministrit Nenad Rikallo që iu përmbush një orë para fillimit të seancës.

Kohë më parë për qëndrimet e deputetes Rugova kishte folur i pari i LDK’së, Isa Mustafa.

“Nëse është me neve rri me neve, nëse nuk është me neve ajo vendos me kënd është”, kishte deklaruar ai.

Në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës, e cila nisi mëngjesin e të shtunës e vazhdoi deri në orët e para të së dielës, deputetët e Kuvendit shqyrtuan dhe votuan për disa projektligje.

Komento: