Liria e shtypit, Kosova renditet në vendin e 75-të

10:01 | 18 April 2019

Kosova nuk qëndron mirë për lirinë e shtypit, ku renditet ne vendin e 75.

Organizata “Reporterët pa Kufij” në raportin më të ri e ka renditur Kosovën në vendin e 75 në botë sa i përket lirisë së shtypit.

Sipas kësaj organizate, situata politike në Kosovë është bërë gjithnjë më e tensionuar dhe e paqëndrueshme, si pasojë përafrimit të Serbisë fqinje me Bashkimin Evropian, gjë që e la Qeverinë e Kosovës në izolim diplomatik.

Mungesa e transparencës së qeverisë për çështjet e raporteve me Evropën ka ngjallur reagime të fuqishme nga opinioni dhe gazetarët, thuhet në raport.

Më tutje aty theksohet se media të caktuara kanë kritikuar politikat nacionaliste të presidentit Hashim Thaçi dhe Partisë Demokratike të Kosovës. Qeveria në anën tjetër, thekson raporti, ka akuzuar gazetarët se janë “tradhëtarë” ose “simpatizantë të serbëve”.

Sa i përket gazetarëve të komuniteteve tjera, raporti thekson se ndarjet etnike në Kosovë janë burim shumë shqetësues për gazetarët e komunitetit serb. Mediat ne gjuhën serbe, sipas raportit, janë shpesh objektiva të sulmeve verbale, ngacmimeve kibernetike dhe fushatave nga mediat pro-qeveritare.

Sidoqoftë, raporti konkludon se peisazhi mediatik në Kosovë të paktën në shikim të parë është relativisht pluralist dhe shumë media kanë pronarë pa lidhje të drejtpërdrejta politike, gjë që rezulton në politika dhe mendime më të ndryshme editoriale.

Prej vendeve të rajonit Mali i Zi ka renditjen më të ulët për Lirinë e Shtypit, pasi organizata e ka renditur në vendin e 104. Vendet tjera të rajonit kanë këtë renditje: Bosnjë dhe Hercegovina në vendin e 63, Kroacia 64, Serbia 90 dhe Shqipëria në vendin e 82.

Listës së 180 vendeve i prinë Norvegjia ndërkaq i fundit në listë është Turkmenistani.

Indeksi botëror i Lirisë së Shtypit 2019 i përpiluar nga Reporterët pa Kufij (RSF) tregon se si në nivel botëror urrejtja ndaj gazetarëve ka degjeneruar në dhunë, duke kontribuar në rritjen e frikës. Sipas raportit numri i vendeve që konsiderohen të sigurta, ku gazetarët mund të punojnë në siguri të plotë, vazhdon të bjerë, ndërsa regjimet autoritare vazhdojnë të forcojnë kontrollin e tyre në media.

Komento: