Lirim Krasniqi: Interesimi i diasporës për votim mbetet i fuqishëm edhe pas tri cikleve zgjedhore

18:55 | 13 Maj 2026
lirim-krasniqi:-interesimi-i-diaspores-per-votim-mbetet-i-fuqishem-edhe-pas-tri-cikleve-zgjedhore

Anëtari i organizatës GERMIN, Lirim Krasniqi në Gazeta tha se interesimi i diasporës për të marrë pjesë në zgjedhje mbetet në nivele të ngjashme me ato të vitit 2025, pavarësisht cikleve të shpeshta zgjedhore në vendin tonë.

Sipas tij, këtë herë numri i regjistrimeve për votim nga jashtë është më i lartë krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit, gjë që lidhet drejtpërdrejt me periudhën e mbajtjes së zgjedhjeve.

“Kësaj radhe, për dallim nga dhjetori, ka numër më të lartë të regjistrimeve për votim nga jashtë dhe kjo është lehtë e shpjegueshme, pasi 7 qershori nuk është periudhë pushimesh siç ishte 28 dhjetori. Rrjedhimisht, një numër i madh i bashkatdhetarëve që kishin ardhur për të votuar në Kosovë më 28 dhjetor, tani do të zgjedhin të votojnë përmes postës ose në qendrat e votimit në misionet diplomatike”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka shtuar se deri në përfundim të afatit për regjistrim pritet të ketë edhe më shumë aplikime nga diaspora.

“Duke pasur parasysh se kanë mbetur edhe katër ditë deri në përfundim të afatit të regjistrimit për votim jashtë vendit, besoj që shifra e aplikimeve do ta kalojë 100 mijëshin. Ky do të ishte numër më i lartë se ai i 28 dhjetorit dhe zgjedhjeve të shkurtit të vitit të kaluar”, u shpreh ai.

Krasniqi tha se kjo dëshmon për një interesim të qëndrueshëm të diasporës për të marrë pjesë në proceset demokratike në Kosovë.

“Kjo tregon se diaspora vazhdon të ketë interesim të madh për të votuar, pavarësisht se kemi kaluar tri cikle zgjedhore dhe kishte dyshime se mund të kishte rënie të interesimit, sidomos tek qytetarët që jetojnë jashtë vendit”, deklaroi ai.

Deklarata e plotë: https://www.youtube.com/watch?v=VTPQQR1J2Jc

Komento: