Lirohet nga puna drejtori i Spitalit të Mitrovicës, thotë se arsyeja është se nuk ka qenë lojal ndaj Valbon Krasniqit

16:12 | 31 Maj 2021

Shkarkohet drejtori i Spitalit të Mitrovicës, thotë se arsyeja është se nuk ka qenë lojal ndaj Valbon Krasniqit.

Sot është shkarkuar ushtruesi i detyrës së drejtorit të Spitalit të Mitrovicës, Sadik Fejza, raporton Gazeta Express.

Një informatë të tillë e ka konfirmuar vetë Fejza për Express.

Ai ka thënë se sot është lajmëruar përmes një email’i se është shkarkuar nga pozita e drejtorit të spitalit, derisa thotë se arsyeja e vetme e shkarkimit të tij është se nuk ka qenë lojal ndaj drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi.

Ai ka thënë se për shkarkimin e tij nuk ka marrë paraprakisht ndonjë paralajmërim, por se nuk ka arsye tjera përveç lojalitetit.

“Po është e vërtetë. Unë veç e kam pa sot që më ka ardh një email një vendim që jam shkarkuar. Arsyeja e vetme është që nuk jam paraqit lojal, nuk ka asnjë arsye tjetër”, ka thënë ai.

Fejza ka deklaruar se nuk do të bëjë ankesë për shkarkimin e tij.

Ai i ka thënë gazetës se në pozitën e tij është vendosur drejtoresha e repartit të Infektivës, Luljeta Buqinca.

Express ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga zyra për media në SHSKUK, por që nga kjo e fundit ende nuk i janë përgjigjur pyetjeve të gazetës. As Krasniqi nuk është përgjigjur në thirrjet e gazetës

Komento: