Lirohet Sylejman Selimi, ja çfarë kishte kërkuar para lirimit nga burgu! – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Lirohet Sylejman Selimi, ja çfarë kishte kërkuar para lirimit nga burgu!

16:48 | 25 Janar 2019

Ish komandanti i përgjithshëm i UÇK -së, Sylejman Selimi është liruar me kusht sipas aktvendimit të Burgut të Dubravës, ku është njoftuar që Selimi ka pasur sjellje të mirë gjatë kohës që e ka kaluar në këtë objekt.

Sylejman Selimi është vlerësuar për sjellje të mira gjatë qëndrimit në burgun e Dubravës. Këtë gjë ai, sipas Panelit për Lirimin me Kusht, e ka treguar në raport me stafin dhe të burgosurit e tjerë. Madje, ai kishte kërkuar edhe të punësohej brenda burgut. Organi i KGJK-së, që të premten ka liruar me kusht ish-komandantin e përgjithshëm të UÇK-së të dënuar për krime lufte, po ashtu, ka konstatuar se Selimi nuk paraqet rrezikshmëri për recidivizëm.
xpress sjell aktvendimin e Panelit për Lirimin me Kusht të Këshillit Gjyqësorë të Kosovës për lirimin e “Sulltanit”

Sylejman Selimi, të premten, është liruar me kusht. Ai, sipas aktvendimit të Panelit për Lirim me Kusht, nga Burgu i Dubravës do të dalë po të njëjtën ditë, në orën 16:00.

I dënuar me vendim të plotfuqishëm me 7 vjet burgim për krime lufte, në një nga rastet e njohura si “Drenica”, Selimi, sipas vendimit për lirimin e tij me kusht, nuk paraqet rrezik për të përsëritur veprimet për të cilat e ka dënuar Gjykata Themelore e Mitrovicës dhe janë vërtetuar deri në Supreme.

Ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, që vuajtjen e dënimit do ta përfundonte më 30 tetor 2020, nga paneli që e ka liruar me kusht gati 1 vit e 10 muaj para kryerjes së ekzekutimit të plotë të tij, është vlerësuar për sjelljet e mira ndaj të burgosurve të tjerë dhe stafit të Burgut të Dubravës ku është mbajtur deri më sot.
“Sjellja e të dënuarit është e qetë në masë të madhe komunikativ. Nuk jep shenja të personit agresiv. Nuk është i prirë të bëjë ankesë pa vend. Është hera e parë që gjendet në burg por është akomoduar dhe është pajtuar me sjelljet institucionale. Sjelljet e tij janë cilësuar shumë të mira. Nuk ka pasur asnjë shkelje disiplinore”, thuhet në arsyetimin e vendimit të panelit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Tutje, aty tregohet se si komandant “Sulltani”, i dënuar për krime lufte, gjatë vuajtjes së dënimit në Dubravë ka kërkuar të punësohet, po një gjë e tillë i është pamundësuar, deri në një kohë kur i është dhënë një përgjegjësi.
“Ka bërë kërkesë për t’u punësuar aty por vendet kanë qenë të limituara. Kohëve të fundit është angazhuar në mirëmbajtjen e baseneve brenda perimetrit të institucionit”, thotë dokumenti i siguruar nga Gazeta Express.

Aty tregohet se ish-ambasadori i Kosovës në Tiranë, prej 30 tetorit 2017 deri tash, disa herë ka ushtruar të drejtën e fituar të pushimit në shtëpi dhe ceket se çdo herë është kthyer me kohë në burg.
“Sa i përket rrezikshmërisë së mbetur, sipas këtij raporti dhe bazuar në deklaratat dhe sjelljet e tij nuk ekziston rreziku për recidivizëm. Ka deklaruar se nuk është në hasmëri me askënd andaj nuk do të jetë i rrezikuar nga askush edhe pasi të lirohet”, shkuan tutje në vendim e saj Paneli për Lirim me Kusht, duke vënë në pah shqetësimet e vetë Selimit për ndodhjen e tij brenda burgut.

Përveç këtyre rrethanave, paneli vlerëson se lirimi me kusht i Sylejman Selimit mund të bëhet pasi koha e mbetur, në përpjesëtim me kohën e vuajtur të dënimit të ish-komandantit të përgjithshëm të UÇK-së, TMK-së dhe për një kohë të FSK-së, ka kaluar 2/3 e dënimit.

“Paneli konsideron se me një mbikëqyrje efektive i dënuari me lehtësi do të ri-integrohet në familje dhe shoqëri me pajtim me ligjin. Paneli vendoi që ta lirojë me kusht personin e dënuar Sylejman Selimi dhe ai do të lirohet me kusht më 25 janar 2019 (e premte ora 16:00) nën kushtet e mëposhtme”, thuhet në aktvendim.

Në fund, ky dokument e njofton Selimin se lirimi me kusht mund të revokohet. Një gjë e tillë, sipas ligjit ndodh nëse i dënuari gjatë lirimit me kusht kryen ndonjë vepër tjetër penale.
Po ashtu, sipas këtij aktvendimi Sylejman Selimi obligohet të njoftojë Policinë dhe Shërbimin Sprovues brenda 5 ditëve për vendqëndrimin e përkohshëm të tij gjatë periudhës së lirimit me kusht. Gjithashtu, gjatë gjithë kësaj kohe, ai duhet t’i njoftojë ato edhe nëse ndërron vendbanim.

Selimit, po ashtu, gjatë qëndrimit në liri me kusht nuk i lejohet të udhëtojë jashtë shtetit pa miratimin e Panelit për Lirim me Kusht dhe obligohet të jetë më i kujdesshëm me sjelljet e tij në të ardhmen.
Ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së që pas luftës për një kohë ishte ambasador i Kosovës në Tiranë, derisa ishte në shërbim diplomatik, EULEX-i i ngriti aktakuza për krime lufte ndaj popullatës civile, në dy rastet e njohura si “Drenica” 1 dhe 2. Ai ishte arrestuar në maj të vitit 2013.

Në fund të dy proceseve, Sylejman Selimi ishte dënuar më 14 vjet dënim unik, për të dy rastet. Por, më vonë Gjykata Supreme e kishte kthyer në rigjykim rastin “Drenica 1”, rast në të cilin Gjykata e Apelit, Sylejman Selimit ia kishte vërtetuar 6 vjet burgim për “Tortura ndaj civilëve”. Rigjykimi i këtij rasti, deri më sot, ende nuk ka nisur.

Ndërkohë, Supremja, në shtator të 2018-s, për të dytën herë Sylejman Selimit ia vërteton dënimin unik prej 7 vjet burgim për krime lufte, në “Drenica 2”.

Komento: