Lista e kandidatëve të LDK-së, Abdixhiku: Për herë të parë LDK-ja ka 36% të kandidatëve gra për deputete

20:08 | 04 December 2024
lista-e-kandidateve-te-ldk-se,-abdixhiku:-per-here-te-pare-ldk-ja-ka-36%-te-kandidateve-gra-per-deputete

Lidhja Demokratike e Kosovës ka publikuar sot listën e kandidatëve për deputetët.

Lista e 110 kandidatëve është publikuar pasi e njëjta është miratuar në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie.

Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka bërë me dije se kjo është lista më përmbajtjesorja dhe më profesionalja që ka Kosova sot.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se për herë të parë LDK-ja ka në listë 36% të kandidatëve gra për deputete.

“Në veçanti, dua të shpreh falënderim, që këtë herë, LDK shënon një histori të re, dhe atë me vet iniciativë. Këtë herë, për herë të parë, LDK ka 36% të kandidatëve gra. Do të punojmë që kjo përqindje në të ardhmen të jetë dhe më e lartë; do të angazhohemi që në LDK dhe në skenën politike të ketë më shumë gra! Gra të fuqishme, shtet i fuqishëm! Në këto zgjedhje, do t’i kemi dhe 5 kandidatë nga mërgata. Dy nga Zvicra, dy nga Gjermania dhe një nga Austria”, ka vlerësuar Abdixhiku.

Ai ka bërë me dije se renditja në këtë listë është renditje alfabetike.

“Jam i bindur se secili prej jush meritoni të jeni në renditjet e para. Por renditja eventuale, nuk përcakton as peshën tuaj, as rëndësinë që keni, e edhe më pak forcën partiake. Ka një faktor dhe një faktor i vetëm që bën një gjë të tillë, i thonë votë qytetare. Ajo na jep fatin politik të gjithëve. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, teksa isha i renditur në numrin 11, isha përgjigjur me thënien “numri nuk më bën mua, numrin e bëj vet”.”, ka thënë ai, duke shtuar se të gjithë kandidatët do të jenë të barabartë.

“Ky është mesazhi im për ju sot. Numri nuk ju bën juve, numrin e bëni vet. Në fakt, dua ta merrni një shembull konkret. Ta merrni shembull Parisin, që ka kërkuar të renditet i fundit. Sepse ai beson në veten, beson se numrit 110 i jep vlerë ai vet. Prandaj bëhuni si Parisi. Nga Lumiri tek Parisi, jemi të gjithë njëjtë. Ne jemi Lidhja Demokratike e Kosovës. Ky është rrugëtimi ynë historik! Nga sonte qëndrojmë të bashkuar! Nga sonte qëndrojmë të fortë! Nga sonte dalim me bindje të plotë se ‘Ne jemi ndryshimi’ për Kosovë! Kokën para, mendjen e hapur, krah për krah me njëri-tjetrin! Dhe kështu, kaq fort, kaq bashkë, kaq të vendosur, ne jemi të pandalshëm”, ka vlerësuar Abdixhiku.

Komento: