Lista Serbe merr vendim të largohet nga institucionet e Kosovës – Rakiq jep dorëheqje nga pozita e ministrit

13:30 | 05 November 2022

Lista Serbe vendos të largohet nga institucionet e Kosovës – Rakiq jep dorëheqje nga pozita e ministrit.

E plotësuar: Lista serbe ka bërë sot të ditur se kanë vendosur që të largohen nga të gjitha institucionet politike në Kosovë.

Kjo është bërë e ditur pas takimit të përfaqësuesve politikë të serbëve të veriut të Kosovës në Zveçan.

Siç raportojnë mediat në gjuhën serbe, përcjell Telegrafi, takimi përfundoi vetëm pas gjysmë ore dhe kryetari i Listës Serbe ka lexuar konkluzionet e takimit.

Kështu, sipas tij, përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të serbëve të Kosovës vendosën të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës, “deri në momentin që Prishtina të tërheqë vendimet për riregjistrim të automjeteve dhe të formojë Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe”.

Kështu, kryetari i Listës Serbe dhe ministri në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, ka thënë se ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim.

Ndërsa Igor Simiq ka bërë të ditur se po dorëzon dorëheqje të parevokueshme si deputet i Kuvendit të Kosovës.

Komento: