Lista Serbe nuk betohen para simboleve të Kosovës, vazhdon me avazin e vjetër

09:04 | 01 June 2019

Lista Serbe vazhdon me avazin e vjetër, nuk betohen para simboleve të shtetit të Kosovës.

Kryetarët e sapozgjedhur të katër komunave veriore (Leposaviç, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut) po vazhdojnë avazin e vjetër, duke mos pranuar të betohen para flamurit dhe para simboleve të Republikës së Kosovës.

Veprimet e tilla të Listës Serbe pritet që ta “bllokojnë” përsëri situatën në veri të vendit, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Ndonëse kishin paralajmëruar se do të japin dorëheqje në momentin që rizgjidhen përsëri, kryetarët e komunave veriore (Leposaviç, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut) nuk kanë pranuar as të betohen para flamurit dhe para simboleve të Republikës së Kosovës.

Ata nuk janë paraqitur të enjten në seancën solemne në Kuvendin Komunal të komunave përkatëse, me ç’rast seanca është shtyrë për një afat të pacaktuar. Këtë gjë e ka konfirmuar për “Zërin” zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, Bashkim Cimili, i cili ka thënë që betimi i tyre pritet të ndodhë ditëve në vijim.

“Të enjten, në seancën e paraparë të mbahet më 30 maj, seanca për betimin e kryetarit nuk është mbajtur dhe është shtyrë për një afat të pacaktuar. Arsyet nuk i dimë, sepse nuk na është thënë asgjë, vetëm që është marrë vendim të shtyhet seanca në një afat të pacaktuar. Në fakt unë besoj që ata ditëve në vijim do të betohen”.

Komento: