Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 dhjetorit që do të mbahen në komunat veriore.
Këtë e ka bërë të ditur vetë Lista Serbe përmes një njoftimi të bërë në Facebook.
“Duke marrë parasysh vendimin e Prishtinës për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës, dëshirojmë të informojmë opinionin se Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje dhe as qytetarët që mbështesin partinë tonë, prej të cilave mbi 95% janë në këto hapësira”, thuhet në postimin e kësaj partie në Facebook.
Me dorëheqjen e katër kryetarëve të komunave veriore, Presidentja Osmani të hënën shpalli datën për zgjedhjet e reja në ato zona.
18 dhjetori u caktua si datë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në 4 komunat, me shumicë serbe, të Kosovës.
“Presidentja Vjosa Osmani pas përfundimit të konsultimeve me partitë politike dhe me KQZ-në, ka caktuar 18 dhjetorin, datë të mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan”, njoftoi Presidenca e Kosovës.
“Udhëzohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kryetar të Komunave: Mitrovica e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, në përputhje me ketë vendim dhe ligjin në fuqi”, thuhet në vendimin e Presidentes Osmani për caktimin dhe shpalljen e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veri të vendit.