Lista Serbe për vendimin e Atiqit për hapësirat publike: Keqtrajtim i qëllimshëm i qytetarëve serb

14:00 | 15 Gusht 2023
lista-serbe-per-vendimin-e-atiqit-per-hapesirat-publike:-keqtrajtim-i-qellimshem-i-qytetareve-serb

Pas vendimit të fundit të kryetarit të komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, i cili urdhëroi biznesmenët të lirojnë hapësirat publike në këtë qytet, Lista Serbe në emër të qytetarëve i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të reagojë dhe të parandalojë përshkallëzimin e situatës në momentin e paqes së brishtë në veri.

Në njoftimin e Listës Serbe thuhet se apelojnë tek përfaqësuesit ndërkombëtarë që të reagojnë dhe të pengojnë që “kryetari i Kurtit të krijojë problem shtesë”.

“Ngritja e tensionit me vendimet e paarsyeshme të një njeriu që nuk ka legjitimitet dhe e quan veten kryetar komune, vë në pikëpyetje mbijetesën e popullit serb që merret me veprimtari ekonomike dhe shërbimore dhe në këtë mënyrë mbështet financiarisht qindra familje serbe. Ky vendim i çuditshëm është në kundërshtim me interesat e qytetarëve të komunës sonë të të gjitha nacionaliteteve dhe do të krijojë probleme të reja në qytetin tonë, por është vazhdimësi e një sërë vendimesh antiserbe të marra nga ky i ashtuquajtur kryetar komune”, thuhet në komunikatë.

Ata shtojnë se në emër të popullit serb, por edhe të gjithë qytetarëve të tjerë, u kanë bërë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë që të ndërmarrin veprime parandaluese, sepse, sipas tyre, zbatimi i këtij vendimi do të sjellë një reagim të justifikuar demokratik të të gjithë qytetarëve, të cilët do të kenë mbështetjen e plotë të Listës Serbe.

“Tingëllon joreale dhe e pabesueshme që disa tezga apo disa komplete kopshtesh janë problemi më i madh dhe më urgjent në shoqërinë tonë për momentin. Për më tepër, ai vepron si keqtrajtim i qëllimshëm i qytetarëve, mohim i së drejtës për punë dhe mbijetesë në këto zona, dhe gjithçka me qëllim, do të përsërisim, për destabilizimin shtesë dhe përshkallëzimin e situatës në terren, në kundërshtim me të gjitha përpjekjet bërë nga të gjithë ne së bashku me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare”, deklaroi kështu Lista Serbe./FrontOnline/

Komento: