Tiagho Alcantara pritet të transferohet në Liverpool.
Jurgen Klopp i ka dhënë dritën jeshile transferimit të Thiago Alcantara. Trajneri gjerman dha urdhrin të negociohej me mesfushorin e Bayern Munich, i cili, sipas “Bild”, e ka pranuar ofertën e skuadrës kampione angleze. Thënë ndryshe, ai ka vendosur të kalojë nga kampionët te kampionët, duke ndryshuar kuqezinë e bavarezëve me të kuqen e Liverpool.
Tani po punohet për mirëkuptimin e duhur edhe midis klubeve. Bayern Munich pranon ta shesë Thiago, megjithëse është lojtar i rëndësishëm për trajnerin Flick. Lojtari ka refuzuar të rinovojë dhe me më pak se një vit kontratë në “Allianz Arena”, bavarezët duhet ta shesin, përndryshe mund të largohet falas mbas një viti.
Sipas “Bild”, Liverpool ka bërë një ofertë të parë prej 20 milionë euro, ndërsa kampionët e Nundesligës kërkojnë dyfishin, 39-40 milionë euro. Një shitje që do të ishte akoma nën çmimin e tregut të spanjollo-brazilianit, me vlerë 48 milionë euro sipas “Transfermarkt”.
Në moshën 29-vjeçare, Thiago Alcántara e ka konfirmuar veten si një nga mesfushorët më të mirë në Europë. Këtë sezon ka qenë kyç, si me trajnerin Kovac, ashtu edhe me Flick, megjithëse një dëmtim e pengoi të merrte pjesë më shumë nga ndeshjet e fundit të kampionatit.
Liga e Kampionëve paraqitet si turneu i fundit, ku mund të luajë me fanellën e bavarezëve. Klopp e dëshiron atë në “Anfield”, lojtari e ka pranuar ofertën personalisht, por mbetet të gjendet akordi mes dy klubeve tashmë .