Liverpooli synon “Neymarin e ardhshëm”.
Liverpooli ka shënjestruar sensacionin brazilian Talles Magno, që po vlerësohet si Neymari i ardhshëm.
Magno 17-vjeçar, tashmë ka kompletuar një edicion të plotë në futbollin e të rriturve me skuadrën braziliane Vasco de Gama, në ligën elite të vendit të futbollit. Ai po ashtu ftohet rregullisht nga U-17 e Brazilit.
Sipas Daily Mail, Magno vlerësohet prej futbollistëve më të talentuar në Brazil dhe luan rolin e ngjashëm me atë që e ka Roberto Firmino në sulmin e Liverpoolit.
Vasco de Gama po përballet me vështirësi financiare që nënkupton se Liverpooli mund të transferojë talentin për më pak para.
Klubi brazilian ka shituar njërin prej lojtarëve më premtues, Paulinhon, te Bayer Leverkuseni në vitin 2018 për 17 milionë funte, ndonëse ai është vlerësuar shumë më tepër. Te klubi brazilian kanë pranuar se janë në gjendje të ngjashme sërish dhe se duhet të shesin lojtarë nëse duan që klubi të ekzistojë.
Liverpooli mund të ketë konkurrencë për talentin brazilian. Benfica ka shfaqur interes, por oferta e saj prej 2,5 milionë funteve është refuzuar.
Magno ka shënuar pesë gola në dhjetë ndeshje për Brazilin U-17, që do të thotë se ai do të plotësonte kushtet për të marrë lejen e punës në Mbretëri të Bashkuar.