Liverpool synon transferin e madh nga Gjermania

12:39 | 05 Dhjetor 2020

Liverpooli në bisedime me Leipzigun për mbrojtësin Konate.

Liverpooli është njëra nga skuadrat më të prekura nga lëndimet këtë edicion në Ligën Premier.

Skuadra e Jurgen Klopp po ka probleme të mëdha sidomos në repartin e mbrojtjes, ku disa nga yjet janë mbetur jashtë fushave për shkak të lëndimeve.

Virgil Van Dijk do të qëndrojë thuajse gjatë gjithë sezonit jashtë, ku fatin e njëjtë e ka edhe Joe Gomez.

Kjo ka bërë që trajneri Jurgen Klopp të kërkojë nga drejtuesit e klubit që urgjentisht në janar t’ia sjellin një mbrojtës qendror në Anfield.

Duket se The Reds kanë vendosur për mbrojtësin e talentuar francez, Ibrahima Konate i cili ka shkëlqyer në dy vitet e fundit me RB Leipzig.

21-vjeçari është njëri nga mbrojtësit e ri më të vlerësuar në Evropë dhe tanimë Liverpooli është në bisedime të avancuara me klubin gjerman për lojtarin.

Kampioni në fuqi i Anglisë është gati të shpenzojë deri në 50 milionë euro për transferimin e mbrojtësit në Anfield.

Qendërmbrojtësi francez është edhe objektiv i Arsenalit, por duket se dëshira e tij është t’i bashkohet Liverpoolit për faktin se ekipi i Klopp luan në Ligën e Kampionëve.

Konate këtë edicion ka zhvilluar nëntë ndeshje me fanellën e Leipzig ku ka edhe një gol të shënuar.

Komento: