Ryan Gravenberch pritet të jetë përforcimi i radhës te skuadra e Liverpoolit për edicionin e ri.
“Sky Sports” ka njoftuar të martën se Liverpooli ka arritur marrëveshje me Bayernin për transferimin e Gravenberchit, i cili do të zyrtarizohet muajin tjetër.
Mësohet se Liverpooli është pajtuar të paguajë rreth 40 milionë euro për 21-vjeçarin, i cili me ekipin anglez do të firmos kontratë pesëvjeçare me opsionin e vazhdimit.
Gravenberch kishte kërkuar largimin nga Bayerni, pasi te skuadra gjermane nuk pati hapësirë të mjaftueshme edicionin e shkuar.
Në 33 ndeshje të luajtura, Gravenberch shënoi 1 gol dhe bëri 1 asistim në të gjitha garat për ekipin gjerman.
Ai iu bashkua Bayernit vitin e shkuar nga Ajaxi dhe ka kontratë deri në verën e vitit 2027.