Liverpooli merr një paralajmërim të rëndësishëm nga ylli i skuadrës

13:14 | 21 Prill 2019

Për udhëtimin në Cardiff, anëtari i Liverpool, Marko Grujic ka bërë një paralajmërim për ish-skuadrën e tij.

Serbi ka thënë se skuadra e udhëhequr nga Neil Ëarnock do ta ketë planin e qartë për ndeshjen ndaj Liverpool, ku do të synojnë t’ia prishin punën për titullin.

Pas fitores së Manchester City gjatë së shtunës, kundër Tottenham, Liverpool ka nevojë vetëm për fitore që të kthehet në kreun e tabelës.

Por, skuadra e Cardiff, përkundër formës jo të mirë, janë të vendosur që të japin maksimumin për ta ndalur suksesin e ‘The Reds’.

Kështu mendon edhe Grujic, i cili aktualisht luan me skuadrën e Hertha Berlin si i huazuar, por që më parë ka luajtur nën urdhrat e trajnerit aktual të Cardiff.

“Liverpool e dinë se çfarë do t’i presë. Do të jetë një stil klasik me topa të gjatë dhe me presing. Ata rrallë herë ndryshojnë” ka thënë serbi.

“Disa njerëz kritikojnë Neil për mënyrën e lojës së skuadrës së tij. Ai shihet si dikush që luan me topat e gjatë, por ai gjithmonë ka një plan të qartë. Dhe, shumicën e kohës funksionon” ka shtuar tutje lojtari i Liverpool.

“Ka të bëjë me sigurinë. Ai nuk dëshiron që të humb shumë topa në mesfushë, ai dëshiron të luajë me topa të gjatë dhe të bëjë presing me topin afër portës. Kjo është ajo që Cardiff do të bëjnë të dielën” ishin fjalët e Grujic.

Grujic ka bërë 14 paraqitje me Cardiff gjatë edicionit 2017/18. Për periudhën që kaluan së bashku, 23 vjeçari ka vetëm fjalë të mira për trajnerin veteran.

Edhe Grujic do të vihet në aksion gjatë së dielës (sot), ku me Hertha Berlin do të ketë përballë skuadrën e Hannover.

Komento: