Lladrovci e sfidon Lushtakun që të flasë me emra për “bllokuesit e PDK-së dhe Kosovës”

20:58 | 27 June 2019

Sipas kryetarit të Drenasit dhe kryetarit të degës së PDK-së në këtë qytet, Ramiz Lladrovcit, kryetar i degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku nuk ka pse të frikësohet dhe duhet të flasë me emra lidhur me akuzat që ka drejtuar kah disa figura të PDK-së.

“Unë nuk e di, le ta bënë vizatimin më të qartë. Nëse unë them që katër pesë individë të PDK-së janë të korruptuar atëherë unë i them me emra”, ka thënë Lladrovci.

Dje, kreu i degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku ka thënë se nga kjo parti mund ta largojnë vetëm ata që e kanë zgjedhur.

Pa përmendur emra, Lushtaku ka thënë se nga PDK-ja duhet të “largohen e të përjashtohen me turpin më të madh 4-5 persona, të cilët e kanë bllokuar Kosovën e PDK-në dhe të cilët kontrollojnë çdo gjë në Kosovë, drejtësinë, biznesin, mediat dhe sferat tjera vitale të vendit tonë, gjë që për veprimtaritë e tyre të pista dhe rrjetet që kanë ndërtuar janë të mirëinformuar edhe miqtë tanë ndërkombëtarë”.

Lladrovci: Koalicioni me AAK-në e Nismën ishte gabim, në zgjedhjet e ardhshme PDK të shkojë e vetme
Kadri Veseli i kishte premtuar Ramush Haradinajt se do ta bënte kryeministër dhe nuk e tërhiqte prapa fjalën e tij.

Këtë në Rubikon të KTV-së e tha bashkëpartiaku i tij, Ramiz Lladrovci, kryetar i Drenasit.

Madje ai tha se ishte edhe ndërmjetësues, bashkë me kryetarin e Obliqit, Xhafer Gashin, që PDK e AAK të arrinin marrëveshje parazgjedhore.

“Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli e ka një të metë siç e kam edhe unë, i ka thënë Ramush Haradinajt që kam me të qit si kandidat dhe do të të bëjë kryeministër. Edhe e ka ba. Nuk ka pas asgjë të keqe sepse kanë qenë bashkëluftëtarë, kanë qenë miq e shokë”, ka thënë ai.

“Vetë kam qenë ndërmjetësues mes kësaj bashkë me kryetarin e Obiliqit, Xhafer Gashin, që të ndodhë koalicioni PDK-AAK para se të hyjmë në zgjedhje, kjo ka qenë nga 2015, më konkretisht pas ditës së pavarësisë së Amerikës”.

Megjithatë ai ka thënë se ka qenë gabim koalicioni me AAK-në e Nismën, derisa ka shtuar se në zgjedhjet e ardhshme PDK-është mirë që të garojë e vetme.

“Pa marrë parasysh rezultatin, është mirë që të garojë e vetme sepse e ka atë identitetin e vet”, ka thënë Lladrovci.

Komento: